E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kjo grevë nuk mund të mos ishte politike

Ata ish-të dënuar politikë që qëndruan për 30 ditë të ngujuar në një cep të “Komunës së Parisit”, rrugës që për ironi të fatit mban një emër të lidhur me revolucionin e të uriturve, nuk duhet të kenë asnjë ndrojtje që ta quajnë politike grevën e tyre. Po, kjo grevë ishte politike. Nuk ka asnjë dyshim se një protestë që kërkon zbatimin e një ligji, plotësimin e një të drejte të parashtruar në vendime zyrtare të Parlamentit, sigurisht që ka përmbajtje politike dhe kërkon zgjidhje që mund të vijnë si rrjedhojë e veprimeve politike.
Historia ka treguar se të gjitha ndryshimet politike kanë pasur një shkëndijë ekonomike si shtysë fillestare dhe më pas, ato qeveri të paafta për t’i menaxhuar këto situata kanë paguar edhe pasojat politike. Greva e studentëve në dhjetorin e vitit 1990, nisi si një reagim ndaj ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe mungesës së kushteve minimale në konviktet e Qytetit Studenti. U deshën disa ditë që greva të merrte një tjetër drejtim dhe të flitej për herë të parë për lejimin e pluralizmit dhe të drejtat politike në Shqipëri.
Aq më tepër politike shndërrohet kjo protestë në momentin që qeveria refuzon prej një muaji të ulet të bisedojë me ish-të dënuarit. Në të vërtetë, është pikërisht mazhoranca e sotme që i ka kthyer të përndjekurit politikë në kalin e saj të betejës elektorale gjatë këtyre 22 viteve. Ka insistuar për amnistinë e tyre në vitin 1991, ka kompensuar në banesa, të drejta studimi e punësim në poste drejtuese shumë prej përfaqësuesve të kësaj shtrese, sepse njerëz të tillë ishin edhe elektorati i saj më besnik. Për të gjitha këto arsye, ndjeshmëria dhe gatishmëria për t’u ulur në bisedime me grevistët e urisë, qoftë edhe për t’i sqaruar ata për procedurat e vonuara apo pamundësitë ekonomike për të përmbushur këto kërkesa, nuk duhet të mungonte nga kjo mazhorancë e djathtë. Argumenti se kjo grevë e ish-të dënuarve ishte e nxitur nga politika, pra opozita, dhe si e tillë kërkesat e saj nuk duhet të merren parasysh nga qeveria, është sa i pabesueshëm aq edhe dritëshkurtër për vetë ata që përpiqen t’i mbushin mendjen vetes me këtë fakt. Edhe pas daljes nga greva e urisë, pakënaqësia dhe protesta e përfaqësuesve të kësaj shtrese do të vazhdojë të shkaktojë probleme për mbështetjen elektorale të mazhorancës dhe përkrahjen ndërkombëtare të saj.
Ka edhe një tjetër arsye thelbësore se përse kërkesat me përmbajtje ekonomike të ish-të dënuarve, janë të lidhura ngushtësisht me politikën e qeverisë së sotme dhe të atyre që do të drejtojnë këtë vend në dekadën e ardhshme, sepse ky problem nuk mund të zgjidhet brenda një mandati të vetëm. Në kakofoninë e akuzave pro dhe kundër grevës së urisë, është harruar të shpjegohet aspekti kryesor që e ka përzier kaq politikisht këtë fat të ish-të dënuarve të regjimit komunist. Deri më sot, askush prej përfaqësuesve të kësaj shtrese, të dënuar me faj apo pa asnjë provë, nuk gëzon të drejtën e pafajësisë në rrugë gjyqësore dhe si rrjedhojë edhe të njohjes së dëmshpërblimit për ditët e tyre të burgut. Lirimi i të dënuarve politikë në Shqipëri, ndryshe nga disa eksperienca të tjera të vendeve postdiktatoriale, është kryer në vitin 1991-1992 nën një amnisti të përgjithshme të Kuvendit Popullor të kohës dhe jo me vendime pafajësie të gjykatave shqiptare. Në gjuhën juridike, ekziston një ndryshim i madh mes amnistisë, e cila akordohet nga Kuvendi; faljes, që jepet nga Presidenti; dhe pafajësisë, të cilën ka të drejtë ta njohë vetëm gjykata për çështje konkrete. Me amnistinë e vitit 1991, të cilën Partia Demokratike e cilësoi si një sukses të parë të saj politik, u arrit që të hapeshin dyert e burgut për të dënuarit politikë, por në fakt ata nuk kanë marrë ende një pafajësi juridike dhe si rrjedhojë edhe një vendim gjyqësori për dëmshpërblim e viteve të tyre të burgut. Të ndodhur përpara këtij fakti të kryer, ish-të dënuarit kanë mbetur peng gjatë këtyre 22 viteve të vendimeve të qeverive përkatëse për një kompensim financiar të tyre, i cili në këtë rast mbetet në vullnetin e politikës dhe jo një vendim gjykate i detyrueshëm. Një “pengmarrje” aspak komode, e cila i ka interesuar sigurisht edhe Partisë Demokratike për ta mbajtur të lidhur këtë shtresë me betejat e saj elektorale. Pra, ndryshe nga Ramiz Alia dhe ish-byroistët e tjerë, të cilët i janë drejtuar gjykatës në vitin 1999 për të kërkuar pafajësinë dhe dëmshpërblimin e tyre për vitet e burgut, viktimat e persekutimit të tyre nuk e kanë ende një të drejtë të tillë. Është ironike, por sistemi i sotëm ligjor, po vazhdon të favorizojë sërish persekutorët më tepër se viktimat e tyre. Pafajësia e ish-të dënuarve të regjimit mbetet e vështirë apo edhe e pamundur në shumë raste për shkak të mungesës së provave dhe ngërçit të pazgjidhur të hapjes për publikun të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Të ndodhur në këtë situatë juridike që as i cilëson fajtorë dhe as plotësisht të pafajshëm, ish-të përndjekurit politikë e kanë lidhur domosdoshmërisht fatin e dëmshpërblimit të tyre me politikën. Nëse ky kompensim financiar mbetet në vullnetin e politikës, sigurisht që ai duhet fituar me presione elektorale, por edhe me protesta, të cilat mund të arrijnë edhe në greva urie. Nëse qeveritë e mëparshme socialiste e denigruan edhe më tej këtë shtresë dhe askujt nuk i shkoi ndër mend se mund të fitonte dëmshpërblimin me protesta, e kundërta ka ndodhur me mazhorancën e sotme. Përtej premtimit elektoral, qeveria e djathtë hapi në vitin 2007 “kutinë e Pandorës”, duke e kthyer këtë zotim për dëmshpërblimin financiar në një ligj të posaçëm. Si rrjedhojë, qeveria e sotme është në një pozicion edhe më të vështirë shfajësimi përpara kësaj shtrese. Tashmë, ish-të përndjekurit kërkojnë zbatimin në kohë të një ligji. Pra, është gjithashtu edhe protestë ndaj moszbatueshmërisë së ligjit në këtë vend, një problem që e kthen këtë kompensim financiar tashmë jo vetëm si respektim i një premtimi elektoral, por në njërin prej kushteve për funksionimin e demokracisë dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Për të gjitha këto arsye, greva e urisë dhe protestat e ardhshme të ish-të dënuarve janë të destinuara të jenë politike dhe kërkojnë një zgjidhje nga politika. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›