E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse na ra ky mort edhe në familje?

Kjo është pyetja më drithëruese, e mbetur në ajër, sot për sot. Askush nuk jep një përgjigje a shpjegim. Organizmat qeveritaropolitike jo se jo. Se, tekefundit, ç’punë kanë ato me problemet e familjes të vënë përfund nga varfëria, kontrasti, konflikti dhe krimi? As OJF-të nuk ndihen të na rrëfejnë ku po shkon familja e ç’fytyrë ka sot ajo. Familja shqiptare është patriarkale, gjysmë primitive e gjysmë moderne, qytetar-katundare, d.m.th. një nakatosje ruralourbane, snobe, euroaziatike, apo, duke u tjetërsuar, po ecën në rrugën e duhur të integrimit në familjen evropiane? OJF-të kanë hallin e barazisë gjinore, të të drejtave të homoseksualëve, prostitucionit (një në katër femra, sipas tyre, u trafikoka ose u dhunoka!), të dhëna këto që shoqërohen më pas me “projekte” fondegëlltitëse. Qarqet akademike jo se jo, pasi edhe ato janë të zëna me sherrnajën e dy standardeve të gjuhës, si dhe me promovimin e ndonjë libri të spikatur me titull: “Na janë shtuar shumë budallenjtë, si t’ia bëjmë?”... Shtrohet në hollin e Akademisë edhe një banket me qofte, kikirikë e koka kola!... E pra, kemi çdo gjë të botës së qytetëruar: pluralizëm, parti, liderë, media, liri lëvizjeje, fjale e feje, mbrëmje gala, ankande, universitete e spitale private, Gardë e badigardë, polici të shtetit e private, sfilata e semaforë… e ç’nuk kemi tjetër që ka Perëndimi? E megjithatë mbi të gjitha ne çmojmë kullën e Familjes, ku darkave pastrohemi nga gjynahet e bëjmë bilancin e ditës: “Ç’fituam e ç’humbëm sot”?… “Kujt ia hodhëm e kush e pagoi gjobën në mos me kokë, me dinjitet e ryshfet?”… Pastaj ulemi e shohim TV-të, ku nuk i shpëtohet dot dilemës: Sa ka shkuar çmimi i një kile pordhe televizive sot? Kush u vra, kush u poshtërua?... Ja, kjo është epigrama e çdo familjeje sot, të pasur e të varfër, me vipa a me rripa...
Edhe pa hyrë bashkëjetesa si risi, familja ka pësuar ndryshime thelbësore në strukturë. “Qeliza e shoqërisë”, familja, vazhdon të mbijetojë e të quhet “tokë e shenjtë”, pavarësisht nga trysnia që po i bëhet pas çlirimit nga tabutë e seksit e të moralit, nga diferencat materiale, gjinore, kulturore, ideologjike e fetare, si dhe nga efektet e defektet e konsumizmit që po e shtojnë grykësinë, tahmanë e paudhësitë e njeriut të rrejshëm. Si në një objektiv dixhital, sa më sipër regjistrohet në indin e familjes, duke gjeneruar jo qetësi e harmoni, mirëkuptim e mirëbesim, po drama, konflikte, vrasje, grindje dhe sherre të pasosura.
Kemi Akademi, shtetërore e private, por nuk kemi botë akademike; as botime e studime të mirëfillta për problemet sociale e konkretisht për hallin tonë të mbetur në udhëkryq, me shumë të panjohura, të familjes. Kemi akademikë që nuk kanë bërë as emër dhe as ndonjë punë shkencore pasi, njësoj si në kohën e qepës, ata emërohen/shkarkohen nga Partia dhe nga vetë Ai!… Akademia zyrtare nuk bëzan as për çështje madhore, si ajo e debatit për historinë, por as kur Akademia e një shteti ende pa emër, si Maqedonia, na nxjerr të padenjë, ardhacakë, trashëgimtarë të romëve e të evgjitëve në Ballkan; si e tillë, pa këllqe, nuk ka pse të shpresohet analiza e shkaqeve sociale, ekonomike e politike që mundësojnë, me një ritëm kaq të frikshëm, shtimin e krimit në familje, pa ofruar zgjidhje dhe një minimum profilaksie. Nuk është fjala për diskutimet akademike që bën bota e qytetëruar (do të ekzistojë nesër familja si “qelizë” bazë e shoqërisë apo jo?), por për një dukuri më të thjeshtë e më dramatike: Për vrasjet e krimet monstruoze e të përditshme që kanë hyrë tashmë brenda shtëpive tona. Apo mos pandehim se xhelozia është i vetmi shkak që burri ia pret kokën e ia thyen çaçkën gruas me çekiç në sy të fëmijëve? Si dhe pse na humbi nderi (“burri për një nder rron!”) e na mbiu pedofilia dhe incesti? Pse u çmendën pleqtë 80-vjeçarë pas seksit, aq sa t’u presin kokat “të dashurave” adoleshente?
***
Në këtë mishmash vlerash e antivlerash shumëkush (sidomos politikanët, por edhe qytetarët e dobët e të pambrojtur) bën sikur nuk e sheh kërcënimin e krimit. Shtiremi sikur jemi të qetë e të prirur të besojmë se në mos Perëndia, Drejtësia dhe policia do të “bëjnë detyrën”, do t’i ndjekin dhe do t’i kapin fajtorët, të cilët përherë “ikin në drejtim të paditur”… Por kur na cenohet direkt familja, pakkush ka besim te Policia e te Drejtësia, se sa te vetëgjyqësia, e cila nuk e mbron e nuk e shpëton dot familjen, por e zhyt perspektivën e saj (dhe të shoqërisë) edhe më thellë në tragjedi ose në dramë.
Shqiptari i sotëm është i bindur: Familjen duhet të jetë i zoti ta mbrojë e ta sigurojë vetë nga krimi dhe nga infeksionet morale, paçka se gjithnjë e më tepër mbyllja e derës që të jep imunitet po bëhet e pafrytshme. Jo vetëm pse organizmat shtetërore janë duarjashtë (të Shëndetësisë, Drejtësisë, Rendit Publik, etj.), por edhe pse shkolla, rruga, mjedisi shoqëror, mediat dhe morali janë kontaminuar tashmë nga plehrat e antivlerat morale, nga shembulli i keq, nga suksesi i kollajtë, nga dhuna verbale “e elitës”, nga qejfi e luksi pa derdhur pikë djerse. Ç’do të mendonte vajza të cilën e vrau i ati (se nuk donte të kulloste bagëtinë) po qe se do të shihte në televizor mbrëmjen gala, si në Londër, ku u blenë piktura 500 mijë euro e ku shkëlqimi të vriste sytë? Krimi dhe perversiteti e kanë vënë përfund familjen jo dhe aq nga diferencat kulturore e paragjykimet e vjetra, se sa nga diferencat e thikta materiale që e përjashtojnë njeriun nga mirëqenia… Mes miliarderëve më të pasur të botës ne paskemi disa të tillë; ndërkohë kemi nivelin e varfërisë më të lartin në Evropë e në Ballkan, (sipas Bankës botërore dhe FMN-së). A mund t’i kërkosh arsye të ftohtë e të bësh me faj një të uritur para furrës së bukës, një rural që gjendet për herë të parë në Bllok e sheh gjithë ato vajza me minifund e cigare në gojë, një adoleshent që rri para derës së diskos e nuk hyn dot se i ati është i papunë, një katundare që sheh në darkë në TV sfilata mode apo video me pulla të kuqe, pasi ka kullotur lopën?… Të gjithë këta, ku do ta derdhin pakënaqësinë, mungesat, inatin, pamundësinë, instinktet, zemërimin, injorancën, zilinë, mllefin…, ku tjetër përveçse brenda kazanit të familjes?!
Natyrisht, kur shoqëria bie në një humnerë të thiktë dallimesh e skualifikimesh, ku meritat nuk kanë lidhje me kontributin, aftësinë dhe djersën, por me pafytyrësinë politike e përkatësinë partiake, nuk mjafton shtimi i bodigardëve, hermetizimi nga bota jashtë mureve, sigurimi i një arme pa lejë për t’u ndjerë i sigurt brenda familjes… E nëse edhe kryeministri ka merakun e së nesërmes për fëmijët dhe familjen e vet, nëse ai takon popullin, si thuhet, me antiplumb, si mund të ndjehen të qetë e të sigurtë qytetarët e zakontë të tij?! Në një të tillë atmosferë, cili shqiptar do të flinte i qetë dhe i bindur se familjen e tij nuk do ta përfshijë një ditë krimi e dhuna, pisllëku moral e droga, ethet e kazinove e llotosporteve që po e çojnë familjen te faji pa faj kur, për vetëmbrojtje je i detyruar të reagosh edhe nëse krimi të hyn nga dritarja, “me rikoshet”? E pra, a mund të quhet demokraci kjo? Në fund të fundit, një demokraci e tillë e përçudnuar, që nuk ofron siguri e garanci, së paku për fëmijët dhe familjen, kujt i duhet?
***
Me një indiferentizëm të frikshëm shohim kronikat e zeza të lajmeve... Aq absurde janë kronikat e ububushme, sa tash na mbresëlojnë më pak se kur shohim një qen a një mace të shtypur pa dashje në autostradë… Me një fjalë krimi u përditësua. Sa kohë e keqja gjendet larg e jashtë çatisë së shtëpisë sonë, duket sikur nuk ka lidhje me ne… Nuk e besojmë se kambana po bie edhe për ne. Nuk e kemi kuptuar këtë dukuri kaq të rëndomtë: Në një shoqëri të inkriminuar, të korruptuar, të infektuar e të molepsur kësodore, askush nuk duhet të shpresojë se do të mbetet i imunizuar, edhe sikur ta mbulojë kokën me jorgan. Fakti që u mjedisuam me kronikat e zeza, paçka se krimi ka kohë që na e ka shpërbërë jo vetëm shijen e jetës, por po na rropos edhe familjen, edhe shtëpinë, edhe besimin te njëri-tjetri, madje edhe atdheun si nocion i përbashkët (“ky vend nuk bëhet, vëlla!”) është më dëmsjellës se krimet që dëgjojmë e shohim… Kjo është aq e vërtetë sa dikush ka pyetur veten këto ditë, sigurisht jo pa të drejtë: Mos vallë jemi çmendur si shoqëri dhe ende nuk e kemi kuptuar? E po qe e vërtetë kjo, ç’vlerë kanë broçkullat e përditshme të politikës nëse krimi, nga rruga, ka hyrë brenda familjes? Tani qytetari i ndershëm ndjehet i pambrojtur. Jo vetëm jetën nuk e ke të sigurtë, por më kryesorja: as familjen, edhe po të jesh i pasur, i pushtetshëm, i fuqishëm. Madje ata që janë shumë të pasur ndjehen më të rrezikuar, ndaj rrethohen me badigardë… Prandaj pyetjet që sot për sot vlejnë janë: Nga buron ky makabritet i pashembullt dhe i padëgjuar? Përse u bë kaq e kollajtë vrasja e njeriut nga njeriu? Përse gjenden aq pranë krimit të rinjtë e sotëm, sa thikën e nxjerrin në oborret e shkollave dhe pabe si një stilolaps? Sa janë të burgosurit në raport me shoqërinë e painkriminuar? Sa i kushton një i burgosur shoqërisë? A është e vërtetë se për një të dënuar harxhohet më shumë se pagesa e një zyrtari të mesëm? Sa janë kontingjentet e gatshme e të prirura për të rënë në krim? Sa burgje kemi dhe a mos duhet, me këtë ritëm të lartë kriminaliteti, të kemi, në vend të shkollave e terreneve sportive, më shumë burgje e kampe edukimi? Por a janë zgjidhje arrestimet dhe burgjet? Cili është kufiri i injorancës, varfërisë dhe mjerimit që stimulon dhe mëkon pandalshëm krimin, vulgaritetin dhe agresivitetin tash jo vetëm në rrugë, po edhe në familje?
Zgjidhja nuk është e vështirë të gjendet. Përveç forcimit të shtetit të së drejtës, i cili ka për detyrë të marrë përsipër sigurinë e qytetarit dhe familjes, duke eliminuar vetëgjyqësinë, hakmarrjen e gjakmarrjen, lipset një shpërndarje më e drejtë e të mirave materiale, duke zbutur kontrastet dhe diferencat, humnerën e thiktë mes shumë të varfërve e tejet të pasurve, konfliktin e vitrinës me mundësitë, të konsumit jetik me konsumin e “firmatove”… Edhe mes dy vëllezërve ka humnerë: Ai që pat mbaruar universitetin është i papunë, vëllai që nuk di shkrim e këndim është pasunar! Në shoqëritë e Beneluksit i jepet rëndësi parësore drejtësisë sociale, sigurisht jo me fjalë. Këtë po përpiqet të bëjë edhe SHBA e sotme e Obamës… Ne, fatkeqësisht, bëmë të kundërtën. Pas shtetëzimit total, në anarki të plotë u krye shpërndarja e padrejtë e pasurisë kombëtare, pa asnjë kriter… Po të përmendësh edhe taksën e sheshtë, sipas së cilës duhet të paguajë njëlloj i varfëri dhe i kamuri, diferencat bëhen vetvetiu burim konflikti. Në vendet e zhvilluara, për të zbutur diferencat e për të bërë drejtësi sociale, të pasurit paguajnë deri në 70% taksa, prandaj atje burgjet janë të pakta e të rrëmbushura kryesisht me emigrantë!…
Shembull i padrejtësisë sociale tek ne janë ato qindra-mijëra familje të ndershme që mbetën me gisht në gojë nga privatizimet, pa përjashtuar ish-të përndjekurit, të cilët po vetëdigjen se kanë mbetur, për arsyet e mësipërme, në një grevë të pashembullt urie, njëmujore! E megjithatë askush nuk po e kërkon zgjidhjen. Kjo do të thotë se në këtë vend e në këtë shoqëri, si ka qenë do të jetë! Ja përse, sa të shkojmë sonte në shtëpi e të ndezim TV-në, me siguri do të dëgjojmë për një tjetër krim brenda familjes… Gjitonët do të thonë se filani njihej si burrë i urtë, por zëdhënësi i policisë do të na bëjë me dije se i dyshuari, pas krimit, ka ikur në drejtim të paditur… Në fakt të gjithë ne, bashkë me familjet, a nuk kemi ikur, pa e kuptuar, në drejtim të paditur?! 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›