Klasa të reja, laboratorë e palestër në shkollën “Sotir Çapo” në Patos

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Sotir Çapo” në Zharrës të Patosit ka hapur dyert për vitin e ri shkollor, pas përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e saj.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale pamje nga ambientet e kësaj shkolle, që ofron kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit, me klasa të reja, laboratorë modernë, bibliotekë dhe terrene sportive.
“Një kapitull i ri për nxënësit dhe mësuesit, që tashmë kanë një godinë moderne, më të mirë dhe më të bukur. Me klasa të reja, laboratorë, palestër dhe hapësira të denja për t’u zhvilluar edhe pas orarit mësimor me programin “Pas Shkolle””, u shpreh Rama në postim.
Përveç rikonstruksionit të ambienteve mësimore, shkolla është pajisur edhe me hapësira të dedikuara për aktivitete sportive, kulturore dhe komunitare, duke i dhënë institucionit një rol më të gjerë se ai i zhvillimit të mësimit.
Ambientet do të shërbejnë gjithashtu për zbatimin e programeve “Pas Shkolle”, të cilat synojnë të mbështesin zhvillimin social dhe artistik të nxënësve përmes aktiviteteve të ndryshme.
Në të gjithë vendin janë 42 kantiere ndërtimi të hapura në shkolla, ku po punohet së bashku me bashkitë për rikonstruksionin dhe ndërtimin e objekteve të reja arsimore.
/e.i/j.p/r.e/