E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: 60% e studentëve përfitojnë mbështetje nga shteti përmes Paktit për Universitetin

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot se rreth 60% e studentëve përfitojnë mbështetje nga shteti përmes masave të parashikuara në kuadër të Paktit për Universitetin, të nisur në vitin 2018.

Duke marrë shkas nga një studente që u shpreh në një emision televiziv, se nga 2018 dhe Pakti për Universitetin nuk është bërë asgjë, Koçiu në një postim në rrjetet sociale bëri një përmbledhje të mbështetjes financiare për studentët, duke renditur bursat, lehtësitë në tarifat e studimit dhe investimet në infrastrukturën universitare.

Koçiu nënvizon se 4118 studentë përfitojnë bursë për rezultate të larta, ndërsa 4648 studentë mbështeten me bursë për shkak të gjendjes ekonomike të familjes. Gjithashtu, 434 studentë ekselentë përfitojnë bursë mujore në masën e pagës minimale.

Në kuadër të lehtësive financiare, 10 152 studentë janë të përjashtuar nga tarifa e studimit, ndërsa 27 050 studentë paguajnë vetëm 50% të saj, me pjesën tjetër që mbulohet nga shteti.

Për studentët e mjekësisë, sipas Koçiut, shteti mbulon mbi 80% të kostos së studimit. Ajo bëri të ditur se mbi 4000 të diplomuar janë pjesë e administratës publike, ndërsa investimet për konviktet universitare kanë kaluar 100 milionë euro.

Zëvendëskryeministrja Koçiu theksoi se buxheti për arsimin nuk është ulur, pavarësisht sfidave të krijuara nga tërmeti i vitit 2019, pandemia COVID-19 dhe kriza ekonomike e lidhur me luftën.

Koçiu u shpreh e hapur për dialog me studentët për përmirësimin e mëtejshëm të Paktit për Universitetin, në përgjigje të kërkesave dhe nevojave të tyre, duke theksuar se studentët mund të zgjedhin vetë vendin dhe kohën e takimit.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›