E Diel, 1 Nëntor 2026

Kleo Lati: Takimi me Hysni Kapon dhe si e kritikova ministren e Arsimit Tefta Cami

Albert ZHOLI

Ai mbetet një ndër gazetarët më të spikatur të brezit të viteve 1965 ku profesinalizmi ishte pa diskutim në qendër të vëmëndjes. Rruga e tij si gazetar fillon në Vlorën e bukur dhe mandej në Tiranë, ku punon në organet e shtypit  më të lexuara të regjimit komunsit. Pavarsisht ideologjizmave të tepruara. Kleo thotë se profesionalizmi ishte kriter bazë në gazetari, paccka se informacioni për publikun deri diku ishte i rremë. Sipas tij kushtet e sotme të gazetarisë, kurrsesi nuk mund të krahasohen me dje, ku kompjuteri nuk njihej si emër.

Kur keni filluar punë si gazetar dhe ku?

Në rrugëtimin e gjatë, por të bukur të gazetarisë, stacioni i parë ka qenë gazeta Zëri i Popullit. Pas mbarimit të universitetit të Tiranës, dega e Gazetarisë, gëzimi i marrjes së diplomës shoqërohej me ankthin e emërimit. Ishim 20 gazetarë të rinj, të një kursi që sikurse pranohej prej profesorëve dhe gazetarëve me përvojë kishte lenë gjurmë në historikun e degës së gazetarisë. Me kalimin e viteve u dëshmua se pikërisht prej atij kursi, me një profil simpatik, dolën jo vetëm gazetarë me emër, por edhe shkrimtarë të tillë, dramaturgë, kineastë, poetë, përkthyes, folësa të spikatur të Radios dhe të Televizionit. Emërimin tim në gazetën kryesore të kohës, të gjithë shokët e mi e quajtën me fat, duke qenë se disa u caktuan në gazeta më pak të rëndësishme të kohës apo, ca më keq, nëpër rrethe. Tirana atëhere shikohej si një lloj Meke nga ana e intelektualëve, diçka e synuar dhe e ëndërruar. Jo se nuk e quajta të tillë dhe unë, por duke qenë se edhe me mbarimin e universitetit unë ndjeja një lidhje të fuqishme shpirtërore me Vlorën, qytetit të përkëdhelur përjetësisht prej detit, qytetit nga isha nisur drejt Tiranës për të vazhduar studimet, bëra atë që shumë shokë dhe miq atëherë ma quajtën një marrëzi. Kërkova të trasferohem në Vlorë. Dhe më e bukura është se kërkova të fusja mik që të më çonin nga Tirana në Vlorë, në një kohë kur miku vihej të ndërhynte për trasferim nga rrethi drejt Tiranës. Të thosha dua të largohem nga Tirana se kam lidhje të forta me Vlorën nuk mundja, se e dija që do e merrnin si një marrëzi, ndaj dhe krijova alibinë e sëmundjes së nënës sime. Thashë se nëna është sëmurë dhe duhet të qëndroj pranë saj me patjetër. Më besuan. Shkova si redaktor në Vlorë, në gazetën lokale Zëri i Vlorës. Për vite e vite me radhë njerëzit më pyesnin se si është nëna?, madje ndodh ndonjëherë që dikush ma bën këtë pyetje edhe sot, kur nëna ime është plot 80 vjeçe!

Cili është shkrimi juaj i parë dhe në cilin organ? Si jeni ndjerë atë ditë?

Shkrimi i parë i botuar me emrin tim ka qenë një fejton (një gjini që thuajse është zhdukur në gazetarinë e sotme, për fat të keq. U botua në gazetën Zëri i Vlorës kur unë ende nuk i kisha mbushur të 16 vjetët. Atë ditë, që do botohej shkrimi, ishte e enjte. Kisha shkuar në shtypshkronjë dhe kisha ndjekur nga afër radhitjen e shkrimit me shkronja dore plumbi. Një emocion i bukur, një adhurim për ata njerëz të thjeshtë, që me duart e tyre merrnin shkronjë pas shkronje dhe qendisnin çdo matërial të planifikuar për botim. Të nesërmen, kur do dilte gazeta, unë u zgjova shumë herët,aq sa më dukej sikur nuk kisha fjetur fare. Libraria hapej në orën shtatë të mëngjesit, por unë isha atje një orë më përpara. Shkova në zyrat e postës me librashitësin (ende dhe sot e kam të gjallë në kujtesë portretin e atij burri) dhe e ndihmova të merrte gazetat. Edhe pse i vogël në moshë, pesha e tufës së madhe të gazetave që mbaja më dukej pendë e lehtë. Bleva pesë gazeta. Dola me shpejtësi nga libraria dhe shkova tek lulishtja përballë saj, aty ku edhe sot është varri i Ismail Qemalit. Hapa gazetën dhe kur dallova shkrimin me emrin tim, ndjeva një nga ato gëzime që janë të rralla për nga fuqia e emocionit. Shpesh edhe sot them se ka raste kur edhe botimi i një libri nuk të jep aq shumë emocion sa botimi i një shkrimi në gazetë. Por botimi i shkrimit të parë në jetën time më kishte rezervuar një befasi aspak të këndshme. Në atë shkrim, në formën e fejtonit, unë kritikoja, deri edhe me tone shpotitëse, gjendjen aspak të mirë teknike të autobuzëve urbanë të linjës Vlorë Uzina e Sodës, sidomos të rimorkiove të tyre. Kur babai im erdhi në shtëpi nga puna, më pa në një mënyrë të çuditshme. Edhe më përkëdheli flokët, edhe më qortoi. Më tha se e kishin kritikuar rëndë në ndërmarrje (Parku i Autobuzave), pasi ai punonte si kolaudator, që donte të thoshte se ishte ai përgjegjës për gjendjen teknike të makinave që dilnin në qarkullim. Unë as që e kisha menduar kurrë këtë gjë. Isha rrëmbyer dhe magjepsur aq shumë nga gëzimi i pakrahasueshëm i botimit të shkrimit të parë në gazetë.

Si ishte kërkesa e llogarisë në regjimin komunist dhe a ishin profesionistë të aftë gazetarët?

Kërkesa e llogarisë ishte e tillë që përfshinte sa gjërat e mëdha, si trajtimi ideologjik, politik, social, madje dhe personal i temave, aq edhe gjërat e vogla, në dukje të parëndësishme, por që ndonjëherë këto gjërat e vogla të bënin gjëmën, pasi prej tyre mund të shkaktohej stuhi në gotë. Psh, edhe një gabim i vogël në shtyp, madje qoftë edhe mungesa e një shkronje të vetme në një fjalë, mund ta shkaktonte këtë stuhi në gotë. Ka ndodhur që kur kam qenë I freskët (kështu quhej redaktori që kontrollonte numrin e ri të gazetës dhe firmoste që të shtypej ai numër gazete) fjalës partia ti mungonte krejt rastësisht shkronja t dhe fjala të dilte paria. Pas këtij gabimi krejt teknik nisi një kontroll llogarie që shkonte deri në zhbirimin e skajeve më të fshehta të ndërgjegjes. Për fat të mirë, e kam hedhur lumin me autokritikë për mungesë vigjilence (krijoje më shumë bindje tek të tjerët kur thoshe mungesë vigjilence sesa mungesë vëmendjeje), plus që merrej edhe si autokritikë më e fortë. Sa i takon aftësisë së gazetarëve, them se, padyshim, ka patur edhe të talentuar, edhe thjesht shkrues. Të talentuarit, si në çdo fushë edhe në gazetari, kanë aftësinë që të evidentohen, të veçohen prej të tjerëve, të bëjnë diferencën, pavarësisht kufizimeve të kohës. Ka shumë emra të tillë gazetarësh të talentuar, që koha nuk i zbeh, sado kohë të ketë kaluar, si Miço Verli, Xhevahir Spahiu, Arshin Xhezo, Bashkim Zeneli, Marash Hajati, Napoleon Roshi, Hamit Boriçi, Namik Dokle, Guro Zeneli, Astrit Nuri, Ludmilla Pajo, Remzi Lani, Qemal SakajevaNatyrisht, kjo nuk është një listë shterruese, por thjesht disa emra që përbëjnë përsonalitete në gazetari dhe që kam patur fatin ti njoh të gjithë këta nga afër.

Në cilin organ keni qëndruar më gjatë dhe cilët ishin eprorët e tu? A ke pasur debate me ta?

Kam punuar në disa organe shtypi, por koha më e gjatë ka qenë në gazetën Zëri i Vlorës, që përfshin harkun kohor 1977-1984. Pas një intermexoje në Institutim e Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, kam punuar në gazetën Puna, pastaj tëk Pasqyra. Në vitet e pluralizmit kam punuar për 15 vjet si korrespondent i gazetës greke Elefteros Typos dhe agjencisë së lajmeve Macedonia Press të Selanikut. Eprorët! Ka nga ata që të mbeten jo thjesht në kujtesë, por edhe në ndjesitë dhe përjetimet e bukura, që të bëjnë ti vlerësosh dhe respektosh ata në mënyrë të veçantë, si Zoi Toska, Namik Dokle dhe Kristaq Laka. Sa i takon debateve, natyrisht që ka patur, por brenda asaj që përmban deontologjia gazetareske, me nervin krijues dhe merakun që shkrimet dhe gazeta në përgjithësi të dilnin sa më mirë, të ishin sa më pranë shqetësimeve të njerëzve, të vetë problematikës së jetës.

Me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin si i keni pasur mardhëniet. A keni pasur probleme?

<

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›