E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kliçko është shumë i fortë

Askush nuk mund ta ndalë. Ky është Vitali Kliçko, i cili ka shënuar orët e para të mëngjesit të djeshëm një tjetër fitore të rëndësishme. Sfidanti Kristobal Arreola (27-1, 24 k.o.) kishte hipur në ringun e "Staples Center" të Los Anxhelosit me një ëndërr: të mundte Vitali Kliçkon (38-2, 37 k.o.) dhe të bëhej boksieri i parë me origjinë meksikane që fiton titullin botëror të peshave super të rënda. Por brezi i WBC-së ka mbetur i salduar për jetë te kampioni ukrainas, që- ju pëlqen apo jo stili i tij- meriton të vlerësohet për atë që ai është: një nga më të mëdhenjtë e këtij sporti, në të gjitha drejtimet. Vështirë që sot për sot të gjesh një tjetër kundërshtar për atë, duke marrë në konsideratë se nuk do të shohim kurrë më një ndeshje kundër vëllait Vladimir (prezent si gjithmonë në cepin e tij, dhe mbajtës i titujve IBF e WBO), dhe që nga momenti kur është rikthyer, jo vetëm ka marrë fitore, por ka dominuar Sam Peter. Më pas i ka marrë titullin Juan Karlos Gomezit dhe tashmë mundi edhe Arreolan. Rikthimi në "Staples Center" të Los Anxhelosit (shtëpia e dytë e Kliçkos dhe qyteti i lindjes së Arreolas) ka qenë i jashtëzakonshëm. "Dr. Ironfist" këtu kishte humbur ndeshjen kundër Lenoks Ljuis më 21 qershor 2003, një duel të cilin e humbi për ndërprerje në raundin e shtatë, kur ishte në avantazh ndaj një prej kundërshtarëve më të mëdhenj në 20 vitet e fundit. Ndeshja e orëve të hershme të mëngjesit të djeshëm kishte një strukturë shumë të thjeshtë: për Arreolën, të ashtuquajtur "The Nightmare" (por në këtë duel ankthi ishte vetëm i tij) ka qenë e vështirë t‘i afrohet kundërshtarit të tij. Kliçko ka kontrolluar sfidën nga ringu i parë, me të majtën e tij proverbiale, duke ndalur kundërshtarin, i cili nuk u tërhoq për asnjë moment. Ukrainasi e godiste vazhdimisht kundërshtarin në fytyrë. Gjatë raundit të 10, Arreola për pak sa nuk ra. Në fund të këtij raundi ndërhyri trajneri i amerikanit Henri Ramirez, i cili ndërpreu ndeshjen për "k.o." teknik, pasi boksieri i tij ishte dëmtuar shumë në fytyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›