E Diel, 1 Nëntor 2026

Një rrugë drejt Antigonesë

Tashmë, rruga drejt Parkut arkeologjik të Antigonesë do të përshkohet më lehtë. Ka përfunduar dje projekti "Shtigjet e Antigonesë", një rrugë këmbësorësh që lidh komunën me parkun arkeologjik. Realizuar nga zyra për administrimin dhe koordinimin e Parkut të Antigonesë, në bashkëpunim me Organizatën për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO) dhe Komunën Antigone, rruga do t‘i ndihmojë vizitorët që të orientohen sa më shpejt në rrugëtimin e tyre drejt parkut, ndërsa është plotësuar edhe me sinjalistikën përkatëse. Në ceremoninë e përurimit të shtegut të Antigonesë kishte përfaqësues të organizatave joqeveritare të fokusuara në trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin e turizmit, përfaqësues të UNESCO-s, fondacionit "Butrinti" etj. Të pranishmit organizuan një diskutim të gjerë për realizimin e projekteve të tjera që do të menaxhonin më mirë vlerat e trashëgimisë kulturore në zonën rreth Parkut të Antigonesë dhe në një kontekst më të gjerë për koordinimin e këtyre projekteve me ato për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës, qytetit antik të Hadrianopolit dhe pikave të tjera të zhvillimit të turizmit kulturor në luginën e Drinos. Antigonea është shpallur monument kulture në vitin 1963, me vendimin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, mbështetur në ligjin e asaj kohe. Ndërsa në vitin 2006, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, miratoi për herë të parë një fond prej 10 milionë lekësh me destinacion çeljen e Zyrës së Parkut Kombëtar të Arkeologjisë së Antigonesë, me qëllim promovimin e vlerave të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›