Klik Ekspo Group çel edicionin e 31 të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, Muhametaj: Synojmë integrimin e investitorëve të huaj në tregun shqiptar

Klik Ekspo Group hap siparin e edicionit të 31-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, që zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet. Panairi i këtij viti sjell një format inovativ, me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm të “Shqipërisë 2030” dhe me një përvojë të pasur virtuale dhe ndërvepruese për vizitorët.
RTSH është media partner i këtij edicioni, dhe Luel Muhametaj, menaxher i përgjithshëm i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, theksoi se edicioni i sivjetshëm ka në qendër ripozicionimin strategjik të panairit në bashkëpunim me institucionet kryesore shqiptare dhe ndërkombëtare, me synimin për të promovuar strategjitë, planet dhe projektet e Shqipërisë 2030.
“Sivjet kemi bërë një ripozicionim në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet kryesore për të promovuar vizionin e Shqipërisë 2030. Po udhëzojmë rrjetin dhe kompanitë ndërkombëtare që të investojnë dhe të marrin pjesë drejt këtyre objektivave”, u shpreh Muhametaj.
Ky i fundit nënvizoi se tema qendrore e panairit, “Dritare drejt të ardhmes”, përqendrohet në katër fusha kyçe të zhvillimit kombëtar: infrastruktura dhe energjia; turizmi dhe kultura; teknologjia dhe inovacioni; si dhe bujqësia dhe AgriTech.
Muhametaj renditi si një prej risive më të veçanta të këtij edicioni, ekspozitën me projeksione 3D, ku do të shfaqen në mënyrë vizuale projektet dhe vizioni i Shqipërisë 2030, duke krijuar një përvojë interaktive për vizitorët në katin -1 të Pallatit të Kongreseve.
Ai sqaroi se në këtë edicion marrin pjesë 250 kompani, nga të cilat 170 janë të huaja, përfshirë Zvicrën, Gjermaninë, Italinë, Slloveninë, Anglinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Panairi shtrihet në një hapësirë prej 5,000 metrash katrorë me stenda ekspozuese.
Sipas Muhametajt, interesi i kompanive ndërkombëtare është i lartë, veçanërisht në fushën e energjisë diellore, sigurisë kibernetike, inovacionit teknologjik dhe bujqësisë inteligjente.
“Nga 250 kompani që kemi sivjet, 170 janë të huaja. Këto kompani duan të investojnë, krijojnë partneritet ose të futen në tregun shqiptar.
Kemi nga kompanitë amerikane për fotovoktaikët që duan të krijojnë ferma fotovoltaike në Shqipëri, sigurinë kibernetike me anglezë. Në të gjitha fushat është dikush i interesuar dhe për të investuar dhe për t’u bërë pjesë në tregun shqiptar”, shtoi ai.
Klik Ekspo Group ka nisur aktivitetin e tij në vitin 1994, me qëllim të nxisë bashkëpunimin mes bizneseve shqiptare dhe ndërkombëtare.
“Objektivat nuk kanë ndryshuar që nga viti 1994 kur e nisëm për herë të parë, të nxisim bizneset shqiptare dhe të ndihmojmë kompanitë e huaja të integrohen në tregun shqiptar.
Në lidhje me audiencën dhe publikun e përgjithshëm ne mundohemi të edukojmë, promovojmë se çfarë janë objektivat, strategjitë, planet e projektet e të ardhmes shqiptare dhe se si të gjithë mundtë bëhen pjesë e kësaj të ardhme” shtoi Muhametaj.
Panairi do të jetë i hapur për publikun nga 5 deri më 8 nëntor, dhe do të transmetohet gjerësisht nëpërmjet RTSH, partnerit mediatik të këtij edicioni.
/rtsh.al/