Klinton-Nishanit: Pres me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin produktiv mes SHBA-së dhe Shqipërisë

Presidenti Nishani merr një mesazh nga sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton për dekorimin me titullin më të lartë shqiptar, “Urdhrin e Flamurit” gjatë vizitës së saj në Tiranë dy muaj më parë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë një mesazh që mban datën 4 janar 2013 nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton. Në mesazhin e saj sekretarja amerikane falenderon presidentin për dekorimin me titullin më të lartë shqiptar, “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, gjatë vizitës së saj në Tiranë në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë dhe shpreh kënaqësinë për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. “I dashur Zoti President! Takimi me ju në Pallatin e Brigadave ishte kënaqësi.
Gjithashtu ishte privilegj për mua të vizitoja Tiranën gjatë këtij viti historik për Shqipërinë dhe të uroja vendin tuaj për 100-Vjetorin e Pavarësisë. Personalisht, pranimi i Urdhrit të Flamurit Kombëtar përbënte një nder të madh për mua. Ky Urdhër do të shërbejë si një përkujtesë e rëndësishme e marrëdhënieve jetike mes dy popujve tanë. Pres me kënaqësi të vazhdojmë bashkëpunimin produktiv mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”- thuhet në mesazhin e sekretares Klinton, drejtuar kreut të shtetit shqiptar, Bujar Nishani.
Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, në 1 nëntor të vitit të kaluar, presidenti Nishani nderoi me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me motivacionin, “Për kontribut dhe merita të shquara në mbështetje të Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha përpjekjet për përparim e mirëqenie, për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie të lirë e të hapur”. “Për ndihmën e jashtëzakonshme në anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO, si edhe për mbështetjen e çmuar për Shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, e cila përmbushi aspiratat e rajonit për liri e dinjitet”. “Për kontribut të çmuar në konsolidimin e marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta e miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.