Klinton në Riad, bisedime me sauditët rreth Sirisë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka mbërritur në Riad për bisedime me udhëheqjen saudite, në lidhje me hapat e ardhshëm për zgjidhjen e konfliktit në Siri. Klinton pritet të takojë Mbretin Abdullah dhe ministrin e Jashtëm, princin Saud al-Faisal. Arabia Saudite ka mbështetur thirrjet arabe për dorëheqjen e presidentit sirian, Bashar al-Asad. Të shtunën, Clinton do të takohet me ministrat e Kuvajtit, Bahrejnit, Katarit, të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Omanit. Të dielën, kryediplomatja amerikane do të udhëtojë drejt Stambollit, ku do të marrë pjesë në takimin “Miqtë e Sirisë”. Shteti sirian është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna që në mars të vitit të kaluar. Shifrat e fundit të Kombeve të Bashkuara flasin për mbi 9.000 të vrarë përgjatë një viti trazirash.