Klinton takon Bordin e Guvernatorëve për Transmetime

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, është takuar me pjesëtarët e Bordit të Guvernatorëve për Transmetime dhe ka shprehur përkrahjen e saj për rolin vital të transmetuesve ndërkombëtarë të SHBA-ve.
Gjatë takimit, udhëheqësi i Bordit të Guvernatorëve për Transmetime, Ualter Ajzakson, ka thënë, “Bordi e çmon interesin aktiv dhe të informuar të Sekretares Klinton, dhe dëshirën e saj që të gjej mënyra që Bordi dhe Departamenti i Shtetit, të bashkëpunojnë më mirë në përkrahje të misioneve tona respektive.”
Bordi i Guvernatorëve për Transmetime, është një agjenci e pavarur federale, që mbikqyr të gjithë transmetuesit që përkrahen financiarisht nga qeveria amerikane. Misioni i tyre është që të promovojnë lirinë dhe demokracinë dhe të rrisë kuptimin e tyre përmes komunikimit multimedial të lajmeve të sakta, objektive dhe të balancuara.