Klodiana Spahiu merr zyrtarisht detyrën, betohet si ministre e Shëndetësisë në Presidencë: Objektivi ynë i qartë, transformim i shërbimeve mjekësore

Klodiana Spahiu është betuar në Presidencë për detyrën e re si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Spahiu u dekretua pak ditë më parë nga Presidenti Bajram Begaj, pas propozimit të Kryeministrit Edi Rama për të marrë drejtimin e këtij dikasteri.
Ndërsa shprehu një falënderim për kryeministrin Edi Rama dhe paraardhësen, Evis Sala për punën në drejtimin e kësaj ministrie, Spahiu tha se do të vijojë të përmbush reformat me qëllim transformimin sa më të shpejt të shërbimit shëndetësor.
“Objektivi ynë është i qartë: transformimi i shërbimeve mjekësore, përmirësimi i infrastrukturës spitalore, rritja e cilësisë dhe aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale, duke vendosur gjithmonë qytetarin në qendër të çdo politike dhe vendimmarrjeje. Marrja e kësaj detyre përkon edhe me nisjen e një Sesioni të ri parlamentar, në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, kur jemi më pranë se kurrë objektivit tonë madhor: anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
E marr këtë detyrë me shumë përgjegjësi, por edhe me besimin se mund të kontribuoj për të çuar më tej punën dhe reformat e ndërmarra në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Shëndetësia ka qenë gjithmonë një fushë me të cilën kam qenë dhe mbetem shumë e lidhur. Prandaj, kjo detyrë për mua nuk është thjesht një përgjegjësi e re, por një mision dhe një ambicie për të vijuar me energji rrugën e reformave“, nënvizoi ministrja.
Ajo u propozua për postin e ministres së Shëndetësisë pas dorëheqjes së Evis Salës, e cila më 2 shtator njoftoi largimin nga detyra, pas rreth një viti në krye të ministrisë.
Kush është Klodiana Spahiu
Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në degën “Mjekësi e Përgjithshme”, në vitin 1997. Në periudhën 1998-2002 është specializuar në kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”.
Gjatë karrierës së saj, Spahiu ka kryer një sërë specializimesh në fushën e kardiologjisë joinvazive dhe invazive, përfshirë ekokardiografinë, eko-dopplerin e karotideve, kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës, në institucione universitare dhe spitalore në Itali.
Në vitet 2012-2014 ka përfunduar masterin profesional në “Menaxhimin Shëndetësor”.
Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes kardiologe në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT, ndërsa gjatë viteve 2003-2009 ka punuar si kardiologe dhe mjeke në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit. Më pas ajo është emëruar drejtoreshë e këtij spitali.
Paralelisht me veprimtarinë klinike dhe drejtuese, Spahiu ka pasur edhe një angazhim të gjatë në fushën akademike. Ajo ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës, si dhe pedagoge e jashtme në lëndën e fiziologjisë. Prej vitit 2008 është angazhuar si docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë.
Klodiana Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore” dhe tashmë merr drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
/rtsh.al/