Lamallari largohet nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme, zëvendësohet nga Ervin Demo

Besfort Lamallari largohet nga posti i Ministrit të Punëve të Brendshme. Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani bën me dije se Lamallari do të zëvendësohet në këtë detyrë nga Ervin Demo. Deri më tani, Demo ka mbajtur postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.
Lamallari mori drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në mars të këtij viti, duke zëvendësuar në këtë detyrë Albana Koçiun, ndërsa më parë ishte ministër Drejtësie.
Largimi i Lamallarit vjen vetëm nëntë ditë pas dorëheqjes së Evis Salës nga posti i Ministres së Shëndetësisë. Në krye të kësaj Ministrie u emërua Klodiana Spahiu, e cila u betua këtë të premte para Presidentit Bajram Begaj, duke marrë zyrtarisht detyrën e re.
Kush është Ervin Demo:
Ervin Demo, i lindur në Berat, në vitin 1982, mori detyrën e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor në shtator të viti 2025.
Para këtij emërimi, Demo ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë së Beratit (2019–2025), ku u angazhua në përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin dhe transformimin urban të qytetit, forcimin e transparencës, nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje, si dhe zhvillimin e turizmit.
Më herët, gjatë 2017–2018, ai ka mbajtur detyrën e Zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa në periudhën 2012–2016 ka qenë Zëvendësrektor i Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë me arsimin e lartë. Që prej vitit 2004, ai është pedagog me kohë të plotë pranë Departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës.
Demo ka kryer studimet e larta në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka përfunduar ciklin Bachelor dhe Master. Më pas, ka ndjekur studime postdoktorale në Universitetin e Bolonjës, Itali, duke u specializuar në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit akademik.
/rtsh.al/