Klodiana Spahiu propozohet ministre e Shëndetësisë

Klodiana Spahiu është propozuar nga kryeministri Edi Rama për të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas dorëheqjes së Evis Salës nga detyra një ditë më parë.
Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia për Media dhe Informim, e cila njofton se Spahiu është propozuar për postin e ministres së Shëndetësisë “në vijim të angazhimit për një shëndetësi më të aksesueshme dhe një mirëqenie sociale më të fortë”.
Pas propozimit të kryeministrit pritet që emërimi të formalizohet me dekretin e Presidentit Bajram Begaj, ndërsa më pas dekreti duhet të marrë miratimin e Kuvendit.
Kush është Klodiana Spahiu?
Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në degën “Mjekësi e Përgjithshme”, në vitin 1997. Në periudhën 1998-2002 është specializuar në kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”.
Gjatë karrierës së saj profesionale, Spahiu ka kryer disa specializime në fushën e kardiologjisë joinvazive, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG dhe eko-dopplerin e karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore” në Romë.
Në vitet 2003-2004 ka ndjekur studime pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa në vitin 2005 ka kryer specializim në kardiologjinë invazive, përfshirë kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës, pranë spitalit “Santa Chiara” në Pisa të Italisë.
Në periudhën 2012-2014 ka përfunduar masterin profesional në menaxhim shëndetësor.
Spahiu ka ushtruar profesionin e mjekes në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT. Ajo ka punuar gjithashtu si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit gjatë viteve 2003-2009, ku më pas është emëruar edhe drejtore e këtij spitali.
Krahas veprimtarisë mjekësore dhe drejtuese, Spahiu ka një përvojë edhe në fushën akademike. Ajo ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës, si dhe pedagoge e jashtme në lëndën e fiziologjisë. Prej vitit 2008 ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” në Tiranë.
Klodiana Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Emërimi i saj vjen në një moment kur kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime në qeveri, pas dorëheqjes së Evis Salës nga drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë.