Klopp kundër Loew-it: Hummels s'është fajtor

Qendërmbrojtësi gjerman, Matts Hummels, është kthyer në “mollë sherri” mes trajnerit Joachim Loew dhe Jurgen Kloppit. Mosaktivizimi i mbrojtësit të Dortmundit në ndeshjen e kombëtares ndaj Austrisë të premten në Mynih, sipas trajnerit të Dortmundit, Jurgen Klopp, ka qenë një gabim dhe një vendim jo i arsyetuar mirë nga ana e homologut të tij në kombëtare, Joachim Loew.
Gjatë një interviste për “Sport1”, Klopp ka shpërthyer kundër trajnerit të kombëtares, i cili pas ndeshjes kritikoi publikisht qendërmbrojtësin Matts Hummels. “Nuk e di pse Loewi nuk aktivizoi Hummelsin në qendërmbrojtje. Nuk mund të kritikosh një lojtar që si në skuadrën e tij dhe në kombëtare luan një rol kyç, siç është qendërmbrojtja. Hummelsi është një nga qendërmbrojtësit më të mirë, i cili ka aftësinë ta hedhë skuadrën shumë shpejt në kundërsulm.Sigurisht që ka edhe situata ku një lojtar ka nevojë të mbulohet dhe ndihmohet nga kolegët e tij.
Kurrsesi nuk ishte faji i tij që Gjermania pësoi 3 gola ndaj Paraguajit. Në kombëtare ka pasur ndeshje ku mesfusha nuk e ka pasur të arsyeshme të mbrohet apo t’i vijë në ndihmë defensivës. Në këtë rast s’mund të flasim për mbrojtje të dobët, por për një mesfushë neglizhente, që lë në mëshirë të fatit portën dhe i lë në baltë shokët e tij”, – kritikoi trajneri Klopp./indeksonline/