E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demiraj: Ne, kalimtarë në Kategorinë e Parë

Elidon DemirajNga Bujar Rama

Apolonia është një ndër skuadrat që nuk mundi të mbijetojë sezonin e kaluar në Superligë dhe tashmë, në Kategorinë e Parë, fierakët kanë nisur të hedhin piketat e një objektivi të largët e të qartë për në fund të sezonit. Bardhejeshilët e shohin veten si kalimtarë në këtë kompeticion, pasi ata kanë formatuar një skuadër shumë ambicioze për tu rikthyer mes më të mirave të futbollit shqiptar. Këtë e konfirmon edhe trajneri Elidon Demiri në intervistën e tij, njeriu që ka ideuar këtë Apoloni dhe që i ka implementuar asaj mentalitetin fitues, grintën, dëshirën dhe funksionimin unitar të grupit. Ndonëse me një organikë kryesisht të re, Demiri është optimist për ecurinë e kësaj Apolonie, që ka lënë pas fitoren premierë me Shkumbinin dhe ka hedhur sytë për të pushtuar Velipojën.

Demiri, një Apoloni, që e ka nisur me këmbën e mbarë, bindëse dhe dominuese në lojë e rezultat

Ne kemi punuar fort dhe ishim përgatitur seriozisht për fillimin e kampionatit, ndaj, për të qenë realist, e prisja këtë rezultat. Skuadra ka qenë e përkushtuar maksimalisht për të dhënë më të mirën dhe gjatë gjithë kohës kam vënë re te grupi dëshirë dhe etje për sukses. Secili është i ndërgjegjshëm për peshën e fanelës së Apolonisë dhe kjo ka rritur në skuadër ndjenjën e përgjegjësisë. Përsa i përket takimit me Shkumbinin, ne e kemi dominuar totalisht, kemi qenë të kujdesshëm në çdo aspekt, skuadra kreu me përpikmëri detyrat e ngarkuara dhe nuk krijoi asnjë hapësirë për kundërshtarin, i cili pati vetëm një mundësi gjatë takimit, momentin e 11 – metërshit. Nëse do të ishim treguar më të saktë në finalizim, rezultati do të kishte qenë më i thellë. Gjithsesi, jam i kënaqur nga loja e ekipit, më shumë se rezultati. Por Shkumbini ka mbetur mbrapa tashmë…

Ka një sekret kjo Apoloni nën epokën Demiri?

Ne kemi një skuadër relativisht të re. Filozofia e Apolonisë ka qenë gjithmonë evidentimi i talenteve dhe promovimi i tyre. Nuk e kemi pasur të lehtë pas përfundimit të kampionatit të kaluar, pasi na u larguan 5 – 6 futbollistë dhe na është dashur ti zëvendësojmë ata. Ne nuk puntojmë fort te lojtarët me emër, por, siç e thashë edhe më lart, u mëshojmë të rinjve të talentuar me dëshirë e pasion për lojën e futbollit. Mendoj se kemi bërë punë të mirë në këtë drejtim. Krahas merkatos në vend, ruajtëm një pjesë të mirë të grupit të vitit të kaluar, si dhe bëmë pjesë të ekipit edhe disa futbollistë të huaj që i shërbejnë skuadrës, siç janë maqedonasit Tripunovski e Vasilievski. Nuk ka ndonjë sekret të veçantë kjo Apoloni, përveç lojës kolektive dhe dëshirës për sukses.

Cilat janë objektivat minimale dhe maksimale të Apolonisë gjatë këtij sezoni?

Emri dhe tradita e Apolonisë nuk të lejojnë të parcelizosh objektiva, por të kesh të qartë dhe të vetëm një objektiv: rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. A është e lehtë kjo gjë? Sigurisht që jo, pasi nuk jemi e vetmja skuadër që e synojmë dhe jemi të vetëdijshëm që gara do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Kemi të drejtën morale të synojmë diçka të tillë, pasi kemi punuar seriozisht, mbështesim gjithçka në punën dhe mundin tonë dhe jemi të bindur që do tia dalim. Nuk nisem absolutisht nga ndeshja e parë, por unë e njoh skuadrën, ndaj dhe flas me bindje. Apolonia do të jetë një ekip që do të ketë një performancë në rritje nga ndeshja në ndeshje, duke synuar në çdo takim lojën e bukur dhe korrekte e, padyshim edhe rezultatin.

Duke vlerësuar merkaton, por edhe javën e parë të kampionatit, cilat skuadra shihni si rivalet tuaja gjatë këtij sezoni?

Për ne, Kategoria e Parë është një tokë e pashkelur, megjithatë, tashmë jemi pjesë e këtij evenimenti dhe i kemi ndjekur hap pas hapi zhvillimet te kundërshtarët tanë. E citova që do të ketë një luftë të fortë dhe të ashpër deri në fund. Sigurisht që Superioren e synojnë dhe ëndërrojnë shumë ekipe, por unë mendoj se pretendente do të jenë: Dinamo, pavarësisht humbjes në javën e parë, Pogradeci, që ka ruajtur bërthamën e sezonit të kaluar, Luftëtari, që ka bërë goditje të spikatura në merkato, Elbasani, një skuadër me shumë përvojë apo dhe ndonjë ekip tjetër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›