E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Klosi: Ndërtimi i linjës nënujore të transmetimit të energjisë Shqipëri-Itali, motor për gjenerimin e të ardhurave

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi, deklaroi sot se ndërtimi i linjës nënujore të transmetimit të energjisë Shqipëri-Itali do të jetë një motor ekonomie për të gjeneruar të ardhura, si për investitorët që do të investojnë në këtë sektor, edhe për buxhetin e shtetit.

Në një intervistë në media, Klosi tha se Shqipëria ka një zhvillim të jashtëzakonshëm energjetik në vitet e fundit.

“Projektet në zhvillim janë të një dimensioni që nuk diskutohet më furnizimi, por diskutohet që Shqipëria të bëhet aktor kryesor në rrjetet e transmetimit rajonal të energjisë. Pozicioni ynë gjeografik krijon mundësinë e lidhjes së disa poleve të rëndësishme. Në polin e jugut me Greqinë, në atë të lindjes me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Rumaninë, në atë të veriut, me Malin e Zi e duke vijuar më tej. Mbetej lidhja në perëndim. Ndaj po punohet me projektin e kabullit nënujor”, tha Klosi.

Zv/ministri Klosi vuri në dukje se këto investime për ndërlidhje nuk kanë fokus furnizimin me energji të vendit, pasi me investimet që po kryhen është arritur kjo fazë, por synohet eksportimi.

“Kemi shkuar në nivelin e të konsideruarit të produktit të energjisë, jo mall për konsum, por për tregtim. Energjia do të jetë motor ekonomie për të gjeneruar të ardhura, si për investitorët që do të investojnë në këtë sektor, edhe për buxhetin e shtetit”, theksoi ai.

Më tej, Klosi vuri në dukje se kabulli nënujor nuk do të jetë vetëm në funksion të Shqipërisë.

“Do të jetë për energjinë e Greqisë deri në Bullgari. Edhe Bullgaria ka treguar interes shumë të madh. Nuk diskutohet që ky kabull e kthen investimin e vet. Mbi të gjitha për Shqipërinë ka efekt shumëdimensional. Shqipëria me këtë kabull do të jetë një autostradë ku do të kalojë energjia e shumë shteteve të tjera”, u shpreh zv/ministri.

Përveç pjesës transmetuese, Klosi vuri në dukje se do të krijojë mundësi të mëdha për kapacitetet gjeneruese.

“Kjo është një marrëveshje e veçantë trepalëshe, ku janë dy vendet e interesuara në dy kahet e kabullit dhe një palë e tretë që do të ketë rolin e saj në këtë investim, në sjelljen e kapitaleve për të investuar”, u shpreh Klosi.

Pasi, sipas tij, deri sot kompanitë e interesuara për të investuar ngrinin si problem rrugët për shitjen e energjisë.

“Ky kabull është një portë. Ne kemi burime shumë të pashfrytëzuara, por ama, të gjithë kur diskutojnë për të investuar në kapacitete të reja, ngrenë pyetjen se ku do të shitet energjia”, tha ai.

Lidhur me marrëveshjen trepalëshe, Klosi theksoi se qeveria e Emirateve të Bashkuara do të ofrojë mbështetje për KESH-in për gjetjen e resurseve të mundshme natyrore për investime në energji të rinovueshme.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›