E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KPA konfirmon shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës, Ken Dhima

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë sot në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Vlorës, Ken Dhima.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga gjyqtaret Ina Rama (kryesuese), Albana Shtylla (relatore), Mimoza Tasi, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz (anëtare), shpalli vendimin për çështjen nr. 74/2021, datë 26.11.2021, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Ken Dhima kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), nr. 428, datë 29.07.2021.

“Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 428, datë 29.07.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ken Dhima. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm,” thuhet në njoftimin e KPA-së.

Ken Dhima u shkarkua nga KPK më 29 korrik 2021 për probleme në kriterin e pasurisë. Ai e filloi karrierën si gjyqtar në vitin 2003 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, u transferua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër në vitin 2004 dhe në vitin 2013 u emërua në Gjykatën Administrative të Vlorës.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›