E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klubet e medha ankand per talentet latine

Milan, Inter, Real Madrid e Manchester United apo Chelsea janë klubet e mëdha europiane që do të dyluftojnë deri në fund me milionat e tyre, për të arritur deri tek “perlat” e reja që ofron futbolli brazilian.

Siç raporton “La Gazzetta dello Sport”, të gjitha këto skuadra kanë nisur bisedimet me Santosin për talentin e tij më të madh, Paolo Henrique Chagas de Lima, të quajtur shkurt Ganso.

I konsideruar si edhe më i talentuar se sa Kaka, Santosi pretendon plot 54 milion euro që ta lejojë të largohet. Një marrëveshje mund të gjendet për rreth 35-40 milion euro dhe ajo do ta shndërronte Ganso-n në talentin brazilian më të shtrenjtë të historisë.

Ajo që ndërlikon disi bisedimet është fakti që kartoni i tij zotërohet 45% nga Santos, 45% nga një kompani private dhe 10% nga babai i futbollistit. Për të fituar stafetën, klubet mund të detyrohen të përfshijnë edhe Pele-në, një simbol i Santosit dhe një mik familje i Ganso-s.

Një tjetër kampion i së ardhmes është 19-vjeçari Adrian Nicolas Luna, një sulmues i Defensor Sportingut. Uruguajanasi tregoi se zotëron një talent të mrekullueshëm në eliminatoret e Botërorit U-20.

Milani, Juventusi dhe Palermo kanë vendosur ndërkohë kontaktet me futbollistin, vlera e të cilit është më e arsyeshme se sa ajo e Gansos. Megjithatë, mbetet për të parë se cilin kampionat preferon më shumë lojtari mes italianit e spanjollit, ku Atletico e Madridit është veçanërisht e interesuar.

Talenti i tretë më i madh që çmend klubet europiane është qendërsulmuesi i Flamengos, Diego Mauricio “Drogbinha”, një titullar i Brazilit U-20.

Milani besohet se ndodhet përpara në bisedime, pasi Adriano Galliani përfitoi nga takimi me drejtuesit për shitjen e Ronaldinho-s, për të biseduar edhe rreth kartonit të 20-vjeçarit.

Kushton 10 milion euro, por kuqezinjtë duhet të tregohen të shpejtë, pasi edhe shumë skuadra të tjera europiane janë të gatshme të bëjnë çmendurira për të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›