Koçi: 269 raste të pastrimit të parave iu referuan organeve ligjzbatuese gjatë vitit 2025

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Gjithsej 269 raste të dyshuara për pastrim parash janë referuar gjatë vitit 2025 pranë organeve ligjzbatuese, ndërsa në periudhën 2022–2026 janë bllokuar rreth 24 milionë euro pasuri, bëri të ditur sot drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Ervin Koçi.
Koçi raportoi këto të dhëna gjatë shqyrtimit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike të projektligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, ku foli për masat e ndërmarra në kuadër të forcimit të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Sipas Koçit, nga 269 rastet e referuara gjatë vitit 2025, 24 raste janë dërguar në prokuroritë e rretheve, 32 raste në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), 133 raste në Policinë e Shtetit dhe 80 raste në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
“Ne kemi koordinim dhe bashkëpunim shumë të mirë me institucionet”, tha Koçi, duke theksuar se lufta kundër pastrimit të parave është një proces kompleks dhe kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve.
Ai nënvizoi se projektligji i ri synon të rrisë ndjeshëm bashkëpunimin ndërinstitucional dhe të forcojë mekanizmat për identifikimin, analizimin dhe referimin e rasteve të dyshuara.
Sipas tij, një tjetër element i rëndësishëm është zgjerimi dhe aktivizimi i bazave të të dhënave, të cilat do të mundësojnë një shkëmbim dhe përpunim më efikas të informacionit ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të opozitës Oerd Bylykbashi mbi zbatimin në praktikë të masave kundër pastrimit të parave, Koçi tha se nga totali i rasteve të referuara gjatë vitit 2025, rreth 100 raste kanë pasur lidhje me pasuritë e paluajtshme.
Sipas tij, pasuritë e paluajtshme mbeten një nga fushat ku evidentohen problematika në lidhje me pastrimin e parave, ndërsa institucionet po përshtatin mekanizmat dhe kuadrin ligjor për t’iu përgjigjur këtyre risqeve.
Në lidhje me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, Koçi deklaroi se Shqipëria ka përafruar 100% Direktivën e Katërt dhe të Pestë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ai bëri të ditur gjithashtu se vendi është duke u përgatitur për miratimin e Direktivës së Gjashtë, proces që sipas tij pritet të përfundojë në vitin 2028.
“Jemi gati të miratojmë Direktivën e Gjashtë, të cilën do ta miratojmë në vitin 2028”, u shpreh Koçi.
Gjatë diskutimit në komision, deputeti Bylykbashi kërkoi gjithashtu informacion mbi rezultatet konkrete të punës në drejtim të bllokimit të aseteve që dyshohet se lidhen me pastrimin e parave, si dhe mbi numrin e personave që janë objekt hetimi.
Në përgjigje, Koçi deklaroi se gjatë viteve 2022–2026 janë bllokuar rreth 24 milionë euro pasuri, të cilat i janë përcjellë organeve ligjzbatuese për ndjekje të mëtejshme.
Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” synon forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e mekanizmave të identifikimit dhe referimit të rasteve të dyshuara për pastrim parash dhe financim të terrorizmit.
/e.xh/j.p/