Komisioni i Ligjeve miraton 6 projektligje, mes tyre pastrimi i parave, pagesat dhe shmangia e tatimit të dyfishtë

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi sot gjashtë projektligje që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, sistemin bankar dhe shërbimet e pagesave, si dhe shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal.
Mbledhja u drejtua nga kryetari i komisionit, Ulsi Manja, ndërsa projektligjet u shqyrtuan në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.
Në fokus të diskutimeve ishte projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i prezantuar nga zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi.
Memeti tha se projektligji synon forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së sistemit financiar në Shqipëri, si dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis-në e Bashkimit Evropian, në kuadër të kapitullit “Lëvizja e lirë e kapitalit”.
Sipas tij, ndryshimet synojnë të ulin rrezikun e përdorimit të sistemit financiar, tregjeve të kriptoaseteve dhe lëvizjeve ndërkufitare të parasë fizike për qëllime kriminale, duke rritur efektivitetin e sistemit parandalues.
Relatori Olti Komici vlerësoi rëndësinë e projektligjit për përafrimin e kuadrit shqiptar me acquis-në e BE-së në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe kontrollit të lëvizjeve ndërkufitare të fondeve, kriptoaseteve dhe parasë fizike.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Më tej, komisioni shqyrtoi një paketë prej tre projektligjesh që lidhen me sistemin bankar dhe shërbimet e pagesave: “Për disa ndryshime në ligjin ‘Për bankat në Republikën e Shqipëris뒔, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për sistemin e pagesave’” dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për shërbimet e pagesave’”.
Projektligjet u prezantuan nga zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, dhe u relatuan nga deputeti Ani Dyrmishi.
Yzeiraj bëri të ditur se paketa është hartuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe synon krijimin e një kuadri ligjor më të qartë dhe të harmonizuar për veprimtarinë bankare dhe tregun e shërbimeve të pagesave, si dhe përmirësimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe rregullimit.
Ndryshimet lidhen edhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 4 të negociatave me BE-në, për përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ shqiptar me Direktivën (BE) 2015/2366 për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm dhe Direktivën (KE) 2009/110 për institucionet e parasë elektronike.
Relatori Ani Dyrmishi vlerësoi rëndësinë e tre projektligjeve për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian. Pas diskutimeve, komisioni i miratoi të tre projektligjet në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Në vijim, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe dy projektligje që lidhen me marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal.
Bëhet fjalë për projektligjin “Për ratifikimin e protokollit për ndryshimin e marrëveshjes së 6 prillit 2010, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal në lidhje me taksat mbi të ardhurat dhe kapitalin” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Lituanisë, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe parandalimin dhe shmangien e evazionit tatimor, si dhe të protokollit të saj”.
Dy projektligjet u prezantuan nga zëvendësministri Endrit Yzeiraj, i cili theksoi se marrëveshjet synojnë përmirësimin e bashkëpunimit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe luftën kundër evazionit fiskal.
Sipas tij, zbatimi i këtyre marrëveshjeve krijon një kuadër më të qartë për marrëdhëniet tatimore me dy vendet dhe kontribuon në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investimet dhe zhvillimin ekonomik.
Relatorja Zeqine Çaushi vlerësoi rëndësinë e marrëveshjeve në kuadër të procesit të integrimit dhe, pas shqyrtimit të tyre, propozoi miratimin.
Komisioni, pas pyetjeve dhe diskutimeve, i miratoi edhe këto dy projektligje në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Në total, gjatë mbledhjes së sotme Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi gjashtë projektligje, që prekin fusha të rëndësishme të kuadrit financiar dhe ekonomik, nga forcimi i mekanizmave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, te modernizimi i sistemit të pagesave dhe harmonizimi i legjislacionit tatimor me standardet evropiane.
e.xh/j.p/