E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Kriza greke po përkeqëson ekonominë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 20-06-2011 12:04

Ekspertët e ekonomisë shqetësohen për krizën greke, duke iu referuar ndikimeve që ajo mund të ketë në ditët në vazhdim në ekonominë vendase. Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Koçi, shprehet për “MAPO” se, kriza greke ka vetëm efekte negative në ekonominë shqiptare. “Nëqoftëse në plan të parë do të mendonim se emigrantët shqiptarë do të kthehen në vend, duke ngritur biznese të vogla, të cilët do të ndikonin në rritjen e ekonomisë shqiptare, kjo është shumë e bukur për t’u besuar. Por asnjë ekspert në fushën e ekonomisë nuk mund ta thotë këtë, duke pasur parasysh tregun vendas. Emigrantët kanë disa sezone që kanë ulur remitancat. Ata nuk po investojnë më në pasuri të paluajtshme. Konsumatorët shqiptarë janë mosbesues dhe kërkesa konsumatore sa vjen e bie. Po falimentojnë bizneset e vegjël në vend e jo më të hapen të rinj nga emigrantët”, - u shpreh Koçi. Sipas tij, ardhja e emigrantëve do të ndikojë në papunësi dhe do të thellojë krizën sociale. Në të njëjtën kohë, vijon analizën e tij Koçi, Greqia është partneri ynë i dytë tregtar europian, pas Italisë. Në këtë mënyrë, sipas tij do ulet deri në mosekzistencë shkëmbimi tregtar. Gjithashtu edhe në fushën e investimeve, nuk do të ketë më investime greke në vend. “Ne kemi një sërë bankash greke, që operojnë në vend dhe kreditojnë, sidomos biznesin për investime. Me krizën e shpallur greke, bankat nuk do të mund të kreditojnë biznesin shqiptar. Si rrjedhojë nuk do të ketë më investime as nga biznesi vendas. Në të njëjtën kohë edhe fusha e telekomunikacionit do të ketë probleme. Pasi një nga kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit, që operon prej vitesh në Shqipëri, AMC, është me kapital grek. Me krizën aktuale të shtetit helen, të ardhurat këto kompani nuk mund t’i investojnë në Shqipëri, por do t’i dërgojnë në vendin e tyre për të kontribuar sado pak për të ndihmuar”, - u shpreh Ervin Koçi për “MAPO”. Sipas tij, efektet negative të krizës greke në Shqipëri janë në dy plane, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Efektet e drejtpërdrejta, ai i argumentoi me marrëdhëniet ekonomiko-financiare-tregtare që ka vendi ynë me shtetin fqinj në krizë, ndërsa efektet e tërthorta ai i shpjegoi me efektin domino. Kriza greke infekton Italinë dhe Italia infekton vendin tonë si partneri kryesor tregtar në Europë. Sipas Koçit, deklaratat e Kryeministrit Berisha se, kriza greke do të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare me çeljen e bizneseve të reja në vend, është thjesht demagogji. Sipas tij, kreu i qeverisë nuk ka njohuri në fushën e ekonomisë, pasi në të kundërt nuk do të shprehej në këtë mënyrë. Koçi argumentoi se parashikohej që Shqipëria të kalonte nëpër rrugën e Greqisë për 2-3 vjet, por me këtë tablo aktuale, pritet që borxhi dhe deficiti të thellohen dhe gjendja që Greqia po kalon tani, të përjetohet shumë shpejt edhe nga Shqipëria.

Borxhi grek, rrezik për ekonominë e vendeve të BE-së

Franca dhe Gjermania, të gatshme për të ndihmuar Greqinë duke përfshirë kapitalin privat

Kriza e borxhit grek ka shumë gjasa të infektojë ekonomitë e vendeve të Bashkimit Europian. Vendet që rrezikojnë ndikimin negativ të krizës helene janë Spanja, Portugalia, Belgjika, Irlanda dhe Italia. Këtë fakt e ka bërë të ditur kreu i Eurozonës, Zhan Klod Junker, dje, në ditën kur në Luksemburg po diskutohej për krizën në Greqi. Junker është kategorikisht kundër iniciativës së Gjermanisë, për të përfshirë edhe sektorin privat për të zgjidhur krizën greke. Sipas tij, ky vendim është si të luash me zjarrin. Junker ka deklaruar për gazetën Gjermane, CU Dojce Cajtung se ky propozim është shumë i rrezikshëm dhe do të dërgonte sinjale të gabuara në tregun financiar, pasi ai gjykon se nëse Greqia nuk arrin të shlyejë borxhin, atëherë çmimin për këtë borxh do ta paguanin ekonomitë e tjera të Eurozonës, që po luftojnë për mbijetesë. Ministrat e financave të Eurozonës u mblodhën dje në Bruksel, për të vendosur rreth paketës së dytë financiare për shpëtimin e Greqisë të zhytur në borxhe, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e vendeve të Bashkimit Europian e shikojnë me dyshim një hap të tillë, duke pasur parasysh se paketa e parë financiare nuk arriti ta nxirrte Greqinë nga kriza dhe të rigjallëronte ekonominë. Bëhet fjalë për një paketë ndihme të re, deri në 120 miliardë euro, si dhe për lëvrimin e dymbëdhjetë miliardë eurove nga programi i parë shpëtimtar nga viti 2010. Nga ana tjetër, Franca dhe Gjermania janë dy shtetet që kanë shprehur iniciativën dhe këmbëngulin për ta ndihmuar Greqinë në këtë moment të vështirë të ekzistencës, si shtet për shkak të ekonomisë së rrënuar. Gjatë një takimi të ditës së premte në Berlin, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti Nikolas Sarkozi u shprehën se dëshirojnë të kontribuojnë së bashku për të shpëtuar Greqinë. Të dy ishin të një mendimi se shpëtimi i financave greke duhet bërë me pjesëmarrjen e kapitalit privat, mbi baza vullnetare. Franca kishte shprehur më parë skepticizëm në lidhje me pjesëmarrjen e bankave dhe kompanive të sigurimit.

Merkel: Greqia ka bërë shumë për një vit

Diplomatët e BE-së, optimistë për vendimet e Gjermanisë dhe Francës, në ndihmë të Greqisë. Sipas diplomatëve të BE-së, edhe ujdia mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Nikolas Sarkozy të premten në Berlin, për një përfshirje vullnetare të kredituesve privatë, do të ndikojë në lehtësimin e negociatave. Gjermania bëri një lëshim nga pozicioni i saj fillestar, për një pjesëmarrje masive të bankave dhe sigurimeve në paketën për Greqinë. Lëndë mjaft e komplikuar kjo për europianët, sepse në këtë çështje ata prekin një terren të panjohur. Kryetari i eurogrupit Jean-Claude Juncker, Kryeministri i Luksemburgut dhe kryetar i radhës së takimit ministror, Jean-Calude Juncker paralajmëroi të shtunën në një intervistë për gazetë nga pjesëmarrja e kreditorëve privatë, se edhe vende të tjera mund të prekeshin nga kriza. Ndërsa kancelarja gjermane Merkel, shprehet me tone optimiste në fundjavë. Në një intervistë për revistën "Super-Ilu" të shtunën, ajo konstatoi se Europa është e përgatitur mirë për zhvillimet e reja financiare. Në të njëjtën kohë, duhen trajtuar gabimet e mëkatet e së shkuarës, tha Merkel. Ajo i lëvdoi përpjekjet e deritanishme të Greqisë për kursime. "Athina ka bërë shumë për një vit", tha ajo, "këtë arritje duhet t'ia vlerësojmë". Me kursin e ashpër të kursimeve, Athina ia ka dalë të ulë me 5% borxhin e ri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›