Koçiu: 125 pacientë në Patos marrin shërbim shëndetësor në banesë

TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se në Qendrën Shëndetësore në Patos ofrohet kujdes shëndetësor me përkushtim për 25 000 mijë pacientë, çdo ditë.
Ministrja Koçiu, përmes një postimi në rrjetet sociale vuri në dukje se një ekip i palodhur prej 12 mjekësh dhe staf infermieror kujdeset për qytetarët, mes tyre 3,122 pacientë kronikë mbi 70 vjeç dhe 2,954 pacientë që ndjekin trajtime të vazhdueshme.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thotë se “125 pacientë marrin shërbim shëndetësor në banesë, ku ofrohet: monitorim shëndetësor dhe administrim terapie, plane individuale trajtimi sipas nevojës dhe rreth 50 procedura standarde infermierore çdo ditë”.
“Më pranë qytetarëve, me kujdes cilësor dhe të vazhdueshëm për këdo që ka nevojë”, pohon Koçiu.
Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor në Banesë vijojnë të zgjerohen në të gjithë vendin, duke u ardhur në ndihmë kryesisht të moshuarve dhe pacientëve kronikë që e kanë të vështirë të paraqiten në qendrat shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka theksuar se “ky program po shtrihet në 36 Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe 356 qendra shëndetësore, duke mundësuar mbi 58,700 vizita dhe procedura vetëm gjatë vitit 2024, për rreth 5,200 pacientë”. /j.p/
Nga vizita e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në qendrën shëndetës... 1 nga 11