E Enjte, 5 Nëntor 2026

Koçiu: 12701 mamografi u kryen gjatë Tetorit Rozë

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, janë kryer 12701 mamografi.

Koçiu përmes një postimi në rrjete sociale tha se “gjatë fushatës ndërgjegjësuese, 31-ditore, të Tetorit Rozë 2024, 12701 vajza dhe gra iu bashkuan kauzës sonë të përbashkët, për parandalimin e kancerit të gjirit, përmes kontrolleve të vazhdueshme’.

“12701 nëna, motra, bija dhe shoqe, dëshmuan se ekzistojnë mijëra arsye pse “Ia vlen të jetosh” dhe pse duhet të kujdesemi për veten jo vetëm në tetor, por në çdo ditë të vitit”, tha Koçiu.

Çdo ditë nga data 1 deri në 31 tetor u mundësua kryerja e mamografisë dhe kontrolleve  falas në spitalet apo qendrat pranë vendbanimit. Për të gjitha ato gra të cilat nuk kishin  mundësi të shkonin tek mjeku apo pranë një qendre shëndetësore edhe gjatë këtij viti prioritet iu dha dërgimit të njësive të lëvizshme të mamografisë në zonat rurale dhe të largëta.

Gjithashtu nëpërmjet platformës e-Albania u ofruan shërbime lehtësuese, për ta bërë më të lehtë e më të shpejtë procesin e kryerjes së këtyre kontrolleve. Vajzat dhe gratë e moshës 30-50 vjeç marrin një mesazh njoftuese në llogarinë e tyre në e-Albania, që iu kujton dhe fton ato për të bërë ekzaminimet e nevojshme. Ndërsa gratë 50-70 vjeç morën një mesazh njoftues në llogarinë e tyre në e-Albania, që i kujtoi dhe ftoi ato për të bërë periodikisht mamografinë. Përgjigjet për mamografitë shkuan tek pacientet gjithashtu përmes portalit e-Albania, duke ofruar kështu një tjetër shërbim të shpejtë dhe të sigurt.

Këtë vit fushata e Tetorit Rozë u zhvillua me sloganin “Ia vlen të jetosh”, që kishte për qëllim ndërgjegjësimin për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›