E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koçiu: 149 të rinj në vitin e parë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu bëri me dije sot, se 149 të rinj i janë bashkuar studimeve në vitin e parë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë.

Koçiu tha se këta të rinj përmes leksioneve, përgatitjes fizike dhe jetës në kampus kanë zgjedhur të ndërtojnë të ardhmen e tyre me uniformën blu, duke u përgatitur me dije, disiplinë dhe vlera qytetare.

“Me kushte bashkëkohore dhe mbështetje të plotë logjistike, ata po formohen për t’i shërbyer me përkushtim e dinjitet vendit dhe qytetarëve”, tha Koçiu në postimin në rrjetet sociale.

Ministrja Koçiu ndau edhe mesazhet e dy studenteve të Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, të cilat shprehen se ky formim i ndihmon ato me punën në terren, në mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit.

Kimberli Hyko, studente e vitit të parë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, tha se ky fakultet është një vazhdimësi rrugëtimi, pasi në vitin 2022-2023, ajo ka përfunduar Kolegjin e Formimit Policor dhe më pas ka vazhduar punën në patrullën e përgjithshme në qytetin e Durrësit.

“Kjo më ka ndihmuar si në anën profesionale dhe atë personale. Këtu kemi të bëjmë me disiplinë, me një tjetër formim që na ndihmon të jemi më të përgatitur në terren dhe sa më pranë komunitetit dhe çdo qytetari”, tha ajo.

Ndërsa, 18-vjeçarja Fabiola Prenga tha se sapo ka përfunduar gjimnazin dhe ka zgjedhur të studiojë në këtë akademi.

“Është një përvojë shumë e mirë për mua. Ne që vijmë nga jeta civile dhe jemi gjimnazistë mund të ishte pak e më e vështirë, por stafi pedagogjik na e ka bërë gjithçka më të thjeshtë. Është një mundësi shumë e mirë për gjimnazistët që janë në mëdyshje që të zgjedhin një mundësi për të ardhmen dhe për t’u shërbyer qytetarëve dhe rendit”, tha Prenga.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›