Koçiu: Asnjë agjendë nuk justifikon dhunën, policia tregoi profesionalizëm

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu reagoi sot në lidhje me protestën e mbajtur nga opozita, përballë godinës së Kryeministrisë dhe asaj të Parlamentit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu shprehet se “e drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shtetit”.
Koçiu theksoi se “dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj”.
Në fund të reagimit, ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi.
“Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve”, tha Koçiu.
Në protestën e tretë kombëtare të thirrur nga opozita protestuesit hodhën sërish dhjetëra kokteje molotov në drejtim të Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë protestës mbetën të lënduar katër punonjës policie.
/e.i/r.e/a.f/