Policia: 16 efektivë të dëmtuar gjatë protestës

TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë protestës së zhvilluar sot pasdite nga opozita, kanë mbetur të lënduar 16 efektivë policie.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë dhe më pas te Kuvendi, një pjesë e protestuesve kanë ushtruar akte të rënda dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore.
Policia e Shtetit, gjatë gjithë zhvillimit të tubimit iu ka bërë thirrje me megafon protestuesve që të distancoheshin nga dhuna, por sulmet ndaj punonjësve të policisë kanë vijuar deri në përfundim të tubimit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.
Si pasojë e sulmeve drejt Policisë u dëmtuan 16 punonjës Policie, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike.
Policia e Shtetit thekson se ka qenë e angazhuar gjatë gjithë tubimit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të siguruar ushtrimin e së drejtës kushtetuese të tubimit paqësor.
Policia njofton se strukturat ligjzbatuese po dokumentojnë të gjitha rastet e dhunës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar qytetarët që kanë bashkëpunuar dhe janë distancuar nga aktet e dhunshme, si dhe gazetarët dhe punonjësit e medias për transparencën që kanë ofruar për publikun.
/a.f/r.e/