Koçiu: Besimtarët në lutje dhe banda e molotovit, dy realitete që nuk kanë asgjë të përbashkët

TIRANË, 20 shkurt /ATSh/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu reagoi sërish në lidhje me protestën e opozitës që u përshkallëzua në hedhje të lëndëve piroteknike dhe molotovëve edhe në drejtim të xhamisë në Namazgjasë në kryeqytet.
Në momentet e përplasjes mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, brenda xhamisë kishte besimtarë që kryenin ritualet fetare të muajit të Ramazanit.
Koçiu u shpreh se “sot kryeqyteti u nda në dy realitete që nuk kanë asgjë të përbashkët”.
“Nga njëra anë, përulësia e besimtarëve që kërkojnë paqe; nga ana tjetër, banda e çadrave dhe e molotovit që me maska në fytyrë nxisin dhunë. Ndërkohë që dëgjohet lutja, ulërijnë britmat për shkatërrim. Është një kontrast që të lë pa fjalë: Lutja përballë mallkimit. Qytetaria përballë vandalizmit”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu deklaroi se “përballë kësaj marrëzie që djeg qytetin për hallin e karriges së një njeriu, duke u kërkuar ndjesë besimtarëve që ishin aty në ritualin e lutjeve e u përballën me situatën e gazit lotsjellës, mbetet të themi vetëm një fjali: Fali Zot, se nuk dinë ç’bëjnë”!
/e.i/j.p/