Koçiu: Dezinsektimi vijon në qarkun e Lezhës për sezon turistik të pastër

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Procesi i dezinsektimit për uljen e popullatave të mushkonjave po vijon në vijën bregdetare të Lezhës në kuadër të Programit Kombëtar të Dezinsektimit 2025.
Ky program ka për qëllim sigurimin e një mjedisi sa më të pastër e të qetë për pushuesit dhe turistët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale momente nga procesi i dezinsektimit në kuadër të sezonit turistik.
“Këtë vit, ndërhyrja shtrihet në të gjitha zonat turistike dhe në 6 qarqet me vijë bregdetare e lagunore, duke përfshirë edhe zona problematike si kanalet, lagunat, pusetat dhe bodrumet. Procesi përsëritet çdo dy javë, me qëllimin për të reduktuar ndjeshëm praninë e mushkonjave dhe për të siguruar një ambient sa më të pastër e të qetë për qytetarët dhe për të gjithë ata që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve”, tha Koçiu.
Programi kombëtar i dezinsektimit për uljen e transmetimit të sëmundjeve infektive, shqetësimit nga mushkonjat dhe reaksionet alergjike që ato mund të krijojnë, është shtrirë në të gjithë vijën bregdetare, laguna, parqe, kanale, pellgje, bodrume dhe puseta. /k.s/j.p/