Koçiu: Kthehet pas 30 vitesh emigrim, sot zhvillon fermën e tij në Belsh

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Njerëzit punëtorë e të thjeshtë të Shqipërisë janë dëshmia e një vendi ku puna, përkushtimi dhe investimi në tokë po krijojnë mundësi të reja për zhvillim.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau momente nga ferma bujqësore e Gëzimit në Belsh, duke sjellë në vëmendje historinë e një fermeri që pas 30 vitesh emigrim vendosi të kthehej në vendlindje për të investuar dhe ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
“Gëzimi u rikthye në Belsh pas 30 vitesh emigrim, për të investuar dhe për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tij. Sot ai merret me blegtori, kujdeset për tufën e tij me të imëta, kultivon ullinj dhe kultura foragjere”, shkroi Koçiu.
Aktualisht, Gëzimi ka një fermë me rreth 150 dele, ndërsa ka aplikuar në Skemën Kombëtare për mbështetje për mekanizimin e bujqësisë. Përmes kësaj mbështetjeje, ai ka siguruar një traktor dhe agregate të tjera bujqësore, të cilat po i lehtësojnë ndjeshëm punën në fermë dhe i krijojnë mundësi për ta zgjeruar aktivitetin.
“Me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për mekanizimin e fermave, Gëzimi ka marrë pajisjet e reja që do t’i kursejnë kohë dhe do t’i japin më shumë mundësi për ta zgjeruar e zhvilluar fermën e tij”, u shpreh Koçiu.
Historia e Gëzimit është edhe një shembull i potencialit që ka rikthimi i emigrantëve dhe investimi i tyre në ekonominë vendase, veçanërisht në zonat rurale.
“Kjo është Shqipëria2030, një vend ku puna shpërblehet, prodhimi mbështetet dhe njerëzit kanë gjithnjë e më shumë arsye për t’u kthyer, për të qëndruar dhe për të investuar”, theksoi Koçiu.
Nga emigrimi, te puna në fermën e tij në Belsh, historia e Gëzimit përcjell një mesazh të thjeshtë: kur toka punohet dhe mbështetet, ajo kthehet në mundësi për një të ardhme më të mirë.
/e.xh/r.e/