E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mbrojtjes: Evakuohen banorët e rrezikuar nga zjarri në Gojan të Madh, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në fshatin Gojan i Madh, në Njësinë Administrative Gjegjan, Bashkia Pukë, vijon operacioni për menaxhimin e vatrës së zjarrit, me ndërhyrje nga toka dhe ajri, në një terren të vështirë malor.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacion janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse me 19 efektivë të MZSH-së Pukë dhe Fushë-Arrëz, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë. Në mbështetje të tyre janë 40 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të FA-së.

Ndërhyrja nga ajri vijon me helikopterë, ndërsa strukturat në terren po punojnë për vënien e plotë nën kontroll të situatës.

Për shkak të përhapjes së zjarrit, ka nisur edhe evakuimi i banorëve më të ekspozuar, duke u dhënë përparësi fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se, falë ndërhyrjes së forcave në terren dhe nga ajri, rreziku më i madh për zonën e banuar ka kaluar, ndërsa operacioni vijon për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrës.

Procesi i evakuimit dhe operacioni për menaxhimin e zjarrit po zhvillohen në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefekturën e Qarkut Shkodër, strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Pukë, Policinë e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse.

AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës, në bashkëpunim me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›