E Enjte, 5 Nëntor 2026

Koçiu: Ndërhyrje delikate e suksesshme nga mjekët e QSUNT dhe spitalit “Memorial” të Fierit

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Një ndërhyrje e rrallë u realizua me sukses tek një pacient 63 vjeç, i diagnostikuar me një formacion (Sarcome) në shkallë të avancuar në zonën sakrale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale tha se “gjatë ndërhyrjes së kryer me sukses nga bashkëpunimi i ngushtë midis mjekëve specialistë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe të Spitalit Rajonal “Memorial” Fier u realizuan procedurat kirurgjikale të heqjes radikale të formacionit tumoral, indit subkutan, si dhe një pjesë e muskulit gluteal-obturator”. “Në përfundim pacientit iu realizua rikonstruksioni i plotë i regjionit Sakro – Gluteal me MESH, nëpërmjet plastikës kirurgjikale”, tha Koçiu. Koçiu bëri të ditur se pacienti gëzon shëndet të plotë. Ministrja Koçiu shprehu mirënjohje për ekipin e mjekëve: Prof. Artur Xhumari (Neurokirurg), Dr. Shk. Gentian Zikaj (Kirurg Plastik), mjekët e Spitalit Memorial Fier, Dr. Asfloral Haxhiu (Kirurg i Përgjithshëm), Dr. Frenki Vila, (Kirurg i Përgjithshëm) si dhe mjeku anestezist Dr Mario Shehu. Dr. Shk. Gentian Zikaj, Kirurg Plastik, tha se “operacioni doli me sukses dhe zgjati 6 orë”. /k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›