Koçiu: Njësi lëvizëse të dhurimit të gjakut në disa IEVP

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Njësia lëvizëse e dhurimit të gjakut ka vijuar këtë javë aktivitetin e saj në disa Institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) duke u ndalur në Tiranë, Elbasan dhe Pogradec.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë me dije se njësia lëvizëse e dhurimit të gjakut këtë javë ka ndaluar në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Pojske, IEVP Jordan Misja, Elbasan dhe Tiranë, duke zgjeruar kështu këtë nismë jetësore për të shpëtuar jetë.
Sipas Koçiut, “këtë javë këto njësi do të jenë në IEVP Peqin, Korçë, Durrës dhe Lezhë, duke vazhduar angazhimin për ndihmë ndaj atyre që kanë më shumë nevojë”.
“Një dhurim i vogël, një jetë e shpëtuar! Bëhu drita e shpresës për ata që kanë më shumë nevojë”, u shpreh ministrja Koçiu në postimin në rrjetet sociale.
Fushata e dhurimit të gjakut synon të sigurojë rezerva të mjaftueshme për pacientët që kanë nevojë për trajtim urgjent, duke përfshirë personat me sëmundje kronike dhe ata që i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale. /j.p/
Nga njësitë lëvizëse të dhurimit të gjakut në disa IEVP 1 nga 10