E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Koçiu: Operohen me sukses dy fëmijë me diagnoza shumë të rënda në zemër

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Ekipi i mjekëve të Kardiokirurgjisë dhe Reanimacionit të Pediatrisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë finalizuar me sukses, dy ndërhyrje kirurgjikale tek dy fëmijë të vegjël.

Lajmin e ka bërë të ditur, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu që i ka cilësuar të dy ndërhyrjet te pacientët e vegjël si raste suksesi. Të dy fëmijët me diagnoza shumë të rënda janë operuar me urgjencë, duke shënuar një moment të rëndësishëm për shërbimin pediatrik.

Sipas ministres Koçiu, një nga fëmijët është vetëm 30-ditësh dhe me peshë 2.9 kg me ndërprerje të harkut të aortës dhe tjetri tremuajsh me peshë 4.9 kg me defekt interventikolar. Të dy fëmijët, iu nënshtruan ndërhyrjeve delikate falë bashkëpunimit të shkëlqyer midis ekipeve të Kardiokirurgjisë dhe Reanimacionit të Pediatrisë në QSU “Nënë Tereza”.

Ministrja thotë se operacionet u realizuan me profesionalizëm nga ekipi i mjekëve: Prof. Altin Veshti, Dr. Fiorba Manaj, Dr. Klodiana Durici, dhe anestezistët Prof. Asoc. Saimir Kuçi, Prof. Asoc. Alfred Ibrahimi, Dr. Marsela Goga dhe infermieret Majlinda Malaj dhe Nerenza Elezi.

“Një falënderim i veçantë shkon për ekipin e Reanimacionit të Pediatrisë, me në krye Prof. Mira Kola, që garantuan një ndjekje rigoroze post-operatore, duke u bërë çelësi i këtij suksesi.

Një shembull frymëzues bashkëpunimi dhe profesionalizmi që tregon se kujdesi i dedikuar sjell mrekulli”, u shpreh ministrja Koçiu në rrjetet sociale. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›