Jole për ATSH: Reshje të lehta dëbore në qarkun e Korçës, shkollat vijojnë normalisht mësimin

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Situata në qarkun e Korçës është normale, meqenëse reshjet e dëborës kanë qenë të pakta dhe situata e krijuar nga moti i keq i pak ditëve më parë është përmirësuar.
Temperaturat, në zonat malore të këtij qarku, arritën në -8°C. Duke qenë që reshjet janë shoqëruar me erë kjo ka bërë që në disa zona e rrugë të ndryshme të jetë grumbulluar sasi e madhe dëbore.
Prefekti i Korçës, Nertil Jole, tha për ATSH-në se bashkitë kanë punuar për hapjen e rrugëve dytësore dhe lidhëse, ndërkohë që vazhdon puna për hapjen e rrugëve lidhëse në Panarit dhe Lekas.
Bëhet e ditur se strukturat e Emergjencave Civile nuk raportojnë problematika dhe se procesi mësimor në të gjitha shkollat e qarkut ka vijuar normalisht.
Gjithashtu janë riparuar të gjitha defektet në rrjetin elektrik. Brigadat e OST, Korçë, Elbasan e Tiranë kanë lokalizuar defektin e shkaktuar në linjën e tensionit 110 kV Guri i Kuq-Përrenjas, defekt i cili ka krijuar ndërprerjen e energjisë elektrike në bashkinë Përrenjas dhe 12 fshatrat e njësisë administrative Proptisht, bashkia Pogradec.
Me ndihmën dhe kontributin e Ministrisë së Mbrojtjes – AKMC dhe të Institucionit të Prefektit u bë e mundur ardhja e një mjeti me zinxhirë për hapjen e rrugës Qafa e Thanës – Kurrizi i Çervenakës, i cili do t’i krijojë mundësi OST për riparimin e defektit. Trashësia e dëborës në këtë zonë ka shkuar mbi 1.5 metra. /j.p/r.e/