Koçiu: Shërbim falas i fertilizimit in vitro me teknologji të avancuar dhe ekip profesionistësh

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Për herë të parë, sistemi shëndetësor publik ofron shërbimin e fertilizimit in vitro (FIV) falas për çiftet që përballen me infertilitetin, përmes Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) pranë Maternitetit “Koço Gliozheni”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot pamje nga struktura moderne dhe e dedikuar pranë këtij materniteti, e pajisur me teknologji të avancuar dhe një ekip profesionistësh, që po bën të mundur që ëndrra e shumë familjeve të bëhet realitet.
Koçiu bëri të ditur se me buxhetin e vitit 2025, ky shërbim do të ofrohet edhe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, duke e shtrirë më tej mbështetjen për familjet që dëshirojnë të sjellin në jetë një fëmijë.
“Kujdesi për familjet dhe gratë mbetet një prioritet i palëkundur në vizionin tonë për ‘Shëndetësinë 2030′”, u shpreh ministrja.
Për herë të parë pranë Spitalit Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni ka ardhur në jetë dje fëmija i parë me teknikën e riprodhimit të asistuar.
Paketa e fertilitetit synon të mbështesë çiftet e reja përmes shërbimit falas të Fertilizimit in Vitro (FIVET).
Me buxhetin e vitit të ardhshëm, rreth 150 çifte të reja do të mbështeten për të realizuar ëndrrën e tyre për të krijuar familje.
/m.m/r.e/