Koçiu: Teknologjia më e fundit e artroskopisë vihet në funksion në Spitalin Memorial ne Fier

TIRANË, 10 maj /ATSH/ – Teknologjia më e fundit në fushën e ortopedisë (viti 2024), artroskopia, tashmë është e disponueshme edhe në Spitalin Memorial në Fier.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila theksoi se kjo risi e vitit 2024 do t’u mundësojë mjekëve kirurgë ortopedë të kryejnë ndërhyrje të specializuara pa pasur nevojë për prerje të mëdha kirurgjikale.
“Mjekët, kirurgë ortopedë do ta përdorin artroskopinë për të ekzaminuar dhe trajtuar problemet e nyjeve pa pasur nevojë për prerje të mëdha kirurgjikale. Me ndihmën e një kamere të vogël dhe instrumenteve të specializuara, ky proces ofron më pak dhimbje, shërim më të shpejtë dhe rezultate më të mira për pacientët”, shkruan Koçiu, në një postim në rrjetet sociale, teksa ndan dhe foto nga përdorimi i kësaj teknologjie nga mjekët.
Në këtë spital do të ofrohen disa lloje të artroskopisë, përfshirë atë të bërrylit, këmbës, duarve, gjurit dhe shpatullës.
Spitali Memorial Fier vijon të mbetet një qendër referimi për shërbime shëndetësore cilësore në Jug të vendit, duke avancuar me teknologjitë më bashkëkohore në funksion të kujdesit ndaj pacientëve.
Atroskopia në spitalin memorial të Fierit 1 nga 3/a.f/