Koçiu, apel për dhurimin e gjakut: Njësitë lëvizëse gjatë shkurtit në çdo qytet të vendit

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i bëri apel sot qytetarëve të bashkohen dhe të bëhen pjesë e misionit human të dhurimit të gjakut.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Koçiu tha se “me njësitë lëvizëse të dhurimit të gjakut, ky akt human dhe jetësor vjen më pranë teje. Sot, në ditën e fundit të janarit do të jemi në bashkinë Burrel në qendër të qytetit”.
Koçiu bëri të ditur se këto njësi gjatë muajit shkurt do të jenë në çdo qytet të Shqipërisë.
“Nga janari deri në dhjetor 2024, numri i dhurimeve ka arritur në 7,386, një kontribut i jashtëzakonshëm për jetët që varen nga ne. Duke shtrirë kujdesin dhe solidaritetin në çdo cep të Shqipërisë, të gjithë kemi mundësinë të japim kontributin tonë për ata që kanë më shumë nevojë”, theksoi Koçiu.
Me mijëra jetë shpëtohen nga dhurimi vullnetar i gjakut, që nga të aksidentuarit, deri tek pacientët me talasemi, të cilët duhet të marrin gjak çdo dy javë për gjatë gjithë jetës së tyre. Dhurimi i gjakut çdo gjashtë muaj, mund të zvogëlojë mundësinë për sëmundje kardiovaskulare deri në 90%.
Çdo dhurues gjaku, si edhe ata periodikë, përfitojnë kryerjen e disa testimeve falas si: gjak komplet; transaminazat ALT; konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh; testim për Hepatit B, C, HIV, sifiliz, etj. Ndërsa nëse je dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si, glicemia, kreatinemia, proteinemia, kolesterolemia, trigliceridemia dhe feritinemia.

/k.s/j.p/