Demo: Rikonstruksioni i rrugës “Vodicë- Qafë Dardhë”, rritje e ofertës turistike të Beratit

View this post on Instagram
TIRANË, 31 janar/ATSH/ Në Berat ka nisur investimi në rrugën “Vodicë- Qafë Dardhë” që përfshin rikonstruksionin dhe ndërtimin e aksit nga kryqëzimi i rrugës Berat-Poliçan në fshatin Vodicë deri në fshatin Qafë Dardhë, me gjatësi 17.10 km dhe me një degëzim rruge drejt fshatit Bodgan.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo e cilësoi nisjen e këtij investimi një lajm fantastik për rritjen e ofertës turistike të Beratit.
“Ky investim i kërkuar prej kohësh nga banorët e zonës do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për zhvillimin e gjithë Njësisë Roshnik dhe një rrugë me rëndësi për gjithë zhvillimin e ofertës turistike të Qarkut Berat, duke krijuar lehtësi në qarkullim drejt pikave malore turistike të Qafë Dardhës dhe Malit të Tomorit”, tha Demo.
Projekti ka dy paketa: Rikonstruksioni i i rrugës Vodicë-Qafë Dardhë dhe restaurimi sistemimi i Çezmës së Tarikos, Tomor.
“Restaurimi i sheshit të Çezmës së Tarikos në Qafë Dardhë, do të bëjë të mundur krijimin e një sheshi panoramik, vendosjen e një info point për turistët dhe hapësira për çlodhje dhe rekreacion”, theksoi Demo.
Ky projekti financohet nga programi “Fuqizimi i ofertës turistike të siteve natyrore” në rajonin e Beratit, duke përmirësuar aksesin dhe infrastrukturën e turizmit, në zonat e parkut të Tomorit, i Komisionit Europian dhe BERZH dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në partneritet me bashkinë Berat.
/k.s/j.p/