Koçiu inspekton punimet në Spitalin e Lezhës: Transformim i godinës dhe zgjerim i kapaciteteve

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Në Spitalin Rajonal të Lezhës vijojnë punimet për rikonstruksionin e tij.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu inspektoi nga afër punimet në këtë spital, i cili pas rikonstruksionit do të rrisë gamën e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Lezhës.
“Në Spitalin Rajonal të Lezhës po punohet me intensitet për rikonstruksionin tërësor të godinës, investim i qeverisë dhe MSHMS-së për transformimin e plotë të infrastrukturës dhe zgjerimin e kapaciteteve të spitalit”, tha Koçiu.
Rreth 200 mijë banorë dhe qytetarë të të gjithë rajonit do të përfitojnë nga kushte shumë më bashkëkohore në këtë strukturë spitalore.
Spitali Rajonal Lezhë ofron shërbime në patologji, pediatri, shërbimin e Anestezi-reanimacionit, të kirurgjisë së përgjithshme, okulistikë, kujdes paliativ, kimioterapi, ortopedi si dhe shërbimin e obstetrikë-gjinekologjisë.
/k.s/