E Enjte, 5 Nëntor 2026

Protesta e opozitës, akset rrugore që do të bllokohen në Tiranë nga ora 18:00

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit publikoi sot masat e marra për mbarëvajtjen e protestës së thirrur sot në orën 20:00 para kryeministrisë nga opozita.

Policia informoi se duke filluar nga ora 18:00, deri në përfundim të tubimit, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Ismail Qemali”, kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rrugën “Papa Gjon Pali II”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe bulevardin “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Nga ana tjetër policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, që të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

‘Policia e Tiranës u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë dhe jetën e tyre, dhe çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të medieve apo vetë pjesëmarrësve’, thuhet në deklaratën e Policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›