E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koçiu nga Vlora: Programi i dezinsektimit në të gjitha zonat turistike

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi dhe përfaqësues të Bashkisë Vlorë ka ndjekur nga afër kryerjen e procesit të dezinsektimit në Zvërnec.

Gjatë inspektimit, ministrja e Shëndetësisë  evidentoi se ky proces i cili ka filluar në muajin mars po vijon të kryhet edhe në zona të tjera të nxehta, në 6 Qarqe në vend, përfshirë edhe Qarkun Lezhë, për herë të parë këtë vit.

“Ky është një proces që është kryer vit pas viti, por risia në këtë vit është që shtrihet në të 6 qarqet kryesore të Shqipërisë, të cilat kanë edhe vijë bregdetare duke nisur që nga Shkodra,  Lezha këtë vit, për të vazhduar më tej me Durrësin dhe  Tiranën”. Në Qarkun e Vlorës ne e kemi nisur me Zvërnecin, po vazhdojmë me Nartën dhe do vazhdojmë edhe në 11 zona të tjera, edhe në plazhet më të frekuentuara, me Radhimën, me Orikumin, me Himarën, shkojmë deri në Sarandë e përgjatë gjithë vijës bregdetare të Qarkut”, detajoi Koçiu.

Duke u ndalur tek efikasiteti i këtij procesi ministrja Koçiu tha se “ky proces nuk synon të zhdukë mushkonjat,  por redukton në maksimum bezdisjen që vjen prej  tyre”.

Ajo nënvizoi se “është një proces periodik që zhvillohet çdo dy javë. Që do të thotë se nëse ne sot jemi duke kryer dezinsektim këtu, ekipet e Njësitë e Kujdesit Vendor së bashku me ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik vijnë  edhe vlerësojnë nëse ka qenë proces efektiv, nëse ka ende prezencë të larvave për ta ribërë procesin sërish.  Pra, çdo dy javë ka një vlerësim periodik dhe një ri-kryerje të dezinsektimit me qëllim që të kemi efikasitet maksimal”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu. Ndërkohë Prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi tha se ky proces kryhet prej shumë vitesh dhe ka pasur impakt pozitiv në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Është një eksperiencë shumë vjeçare e jona dhe rrjedhimisht jemi akoma dhe më efikas dhe me metodat që përdoren gjithnjë e më bashkëkohore duke bërë trajtime jo vetëm në kanale dhe bodrume, por duke hyrë dhe në shtëpitë e qytetarëve derë më derë me informim dhe me trajtim të vatrave të vogla në kopshtet e tyre, vazo me lule apo gjëra që mbajnë ujë për ta bërë këtë proces sa me efikas dhe më afër qytetarëve dhe duke marrë edhe mendimet e tyre”, u shpreh ai.

Në të gjithë Qarkun e Vlorës janë 108.76 ha laguna, parqe, kanale, pellgje, zonë urbane dhe 5437 m2 bodrume dhe puseta ku do të kryhet dezinsektimi.

Përveç plazhit, Nartës, Zvërnecit, Parkut Kombëtar të Butrintit dhe zonat ujëmbajtëse përreth, dezinsektimi do vijojë edhe në 11 zona të Qarkut Vlorës: Radhimë, Orikum, Dhërmi, Jal, Himarë-Livadh, Qeparo, Borsh, Bunec, Çukë, Sarandë dhe Ksamil.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›