Kodi Doganor drejt modernizimit, “Dritarja e Vetme” për procedura më efikase

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Kodi Doganor i Shqipërisë pritet të pësojë një sërë ndryshimesh që synojnë modernizimin e procedurave doganore, lehtësimin e tregtisë dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
Projektligji për ndryshimin e ligjit nr. 102/2014 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i hedhur për konsultim publik, sjell rregulla të reja për operatorët ekonomikë, procedurat e ankimit, garancitë doganore, përcaktimin e kursit të këmbimit, sanksionet dhe përdorimin e sistemeve elektronike.
Një nga objektivat kryesorë është krijimi i procedurave më të qarta dhe më të parashikueshme për bizneset që kryejnë veprimtari importi, eksporti dhe tranziti.
Në kuadër të së drejtës së ankimit, projektligji përcakton mundësinë që personat e prekur drejtpërdrejt nga një vendim doganor ta kundërshtojnë atë, ndërsa parashikon edhe të drejtën për ankim në rastet kur një kërkesë nuk është shqyrtuar brenda afatit ligjor.
Risi parashikohen edhe për procedurën që ndiqet përpara marrjes së një vendimi negativ. Doganat duhet t’i komunikojnë subjektit arsyet mbi të cilat mbështetet vendimi dhe t’i japin mundësi të paraqesë argumentet e tij, përpara se të merret vendimi përfundimtar.
Ndërkohë, ndryshime parashikohen për garancitë doganore, duke përcaktuar rastet kur ato kërkohen dhe mundësinë e përjashtimit për kategori të caktuara mallrash me vlerë ose peshë të kufizuar.
Projektligji ndërhyn edhe në mënyrën e llogaritjes së detyrimeve doganore përmes përcaktimit të një mekanizmi të ri për kursin e këmbimit. Në këtë proces do të përdoret kursi i Bankës së Shqipërisë, me rregulla të përcaktuara për periudhën e zbatimit dhe rastet e luhatjeve të ndjeshme të kursit.
Një tjetër element i rëndësishëm është kufizimi i kamatëvonesave për detyrimet doganore të papaguara. Sipas ndryshimeve të propozuara, shuma e kamatëvonesës nuk mund të jetë më e lartë se vetë detyrimi doganor mbi të cilin ajo llogaritet.
Në fokus të reformës është edhe digjitalizimi. Projektligji parashikon përfshirjen në Kod të “dritares së vetme kombëtare për doganat”, me synim shkëmbimin më efikas të informacionit ndërmjet institucioneve dhe reduktimin e procedurave të përsëritura për bizneset.
Ndryshimet prekin gjithashtu sistemin e sanksioneve dhe shkeljeve doganore, me synim që masat të jenë proporcionale me shkeljen dhe të shmangen mbivendosjet në përcaktimin e përgjegjësive.
Sipas relacionit të projektligjit, ndërhyrjet janë të lidhura edhe me përgatitjen e Shqipërisë për aderimin në Konventën e Transitit të Përbashkët dhe përdorimin e Sistemit të Ri të Kompjuterizuar të Transitit (NCTS).
Pjesë e ndryshimeve është edhe përafrimi i terminologjisë dhe procedurave shqiptare me kuadrin doganor të BE-së, në funksion të procesit të integrimit evropian dhe përgatitjes së administratës doganore për anëtarësimin e ardhshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
/e.xh/r.e/a.f/