Kodi Penal, 3 vjet burg kush shkon me prostituta
Mazhoranca dhe opozita do të miratojnë nesër ndryshimet e fundit në Kodin Penal të cilat më pas pritet të kalojnë për miratim në seancës e së enjtes. Pas konsultimeve të shumta ndërmjet relatores Vasilika Hysi, Ministrisë së Drejtësisë dhe shoqërisë civile, të hënën do shqyrtohet projekti final. Seanca pritet të shoqërohet me debate për një nga ndryshimet, siç është heqja e dënimit për prostitucionin.
Me kërkesë të Komisioneres Kundër Diskriminimit , Irma Baraku, në ndryshime është përfshirë heqja e dënimit për prostitutat. Relatorja e Komisionit të Ligjeve për ndryshimet në Kodin Penal ka shprehur pëlqimin e saj për të hequr nga Kodi nenin 113 ku përcaktohet se ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Për të ulur fenomenin e prostitucionit, hartuesit e këtij ndryshimi kanë menduar të dënojnë klientët. Ata që do të përfitojnë favore seksuale kundrejt shpërblimit rrezikojnë gjer në 3 vjet burg. Dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet burg, thuhet në draftin e përgatitur nga relatorja Vasilika Hysi pas konsultimit me Ministrinë e Drejtësisë. Shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. E vetmja pengesë për heqjen e dënimit për prostitucionin mund të jetë qëndrimi i mazhorancës e cila nuk dëshiron që të dekriminalizojë këtë vepër, pasi sipas saj, do të zgjeronte fenomenin e prostitucionit në shoqërinë shqiptare. Gjithsesi për hir edhe të konsensusit, demokratët mund të tërhiqen duke u mjaftuar me riformulim të përkufizimit. Në draft është përfshirë edhe kërkesa e deputetit Viktor Gumi për dhunën në familje. Rrahja ndaj bashkëshortit aktual, ish-bashkëshortit apo bashkëjetuesit, rrezikon që të dënohet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Për shkak të specifikave, dhunuesit e fëmijëve, grave shtatzëna apo personave, që nuk mund të mbrohen nuk do të kenë të drejtën e përfitimit të lirisë me kusht apo dënime alternative siç mund të jetë gjoba apo puna e detyruar në komunitet. Në këtë kategori do të përfshihen ata që dhunojnë për arsye raciste, fetare, gjuhësore dhe politike. /shqiptarja.com