Kodi Penal, rriten dënimet për dhunën në familje
Mazhoranca dhe opozita miratuan parimisht dje amendimet shtesë në Kodin Penal. Gjatë diskutimeve, dy palët paraqitën ndryshime shtesë që lidhen me dhunën në familje dhe me shpifjen dhe fyerjen e simboleve. Sipas ndryshimeve të kërkuara nga deputeti Viktor Gumi, rrahja ndaj bashkëshortit aktual, ish-bashkëshortit apo bashkëjetuesit, rrezikon që të dënohet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Për shkak të specifikave, dhunuesit e fëmijëve, grave shtatzëna apo personave, që nuk mund të mbrohen nuk do të kenë të drejtën e përfitimit të lirisë me kusht apo dënime alternative siç mund të jetë gjoba apo puna e detyruar në komunitet. Në këtë kategori do të përfshihen ata që dhunojnë për arsye raciste, fetare, gjuhësore dhe politike.
Së pari është rrezikshmëria e lartë shoqërore e veprës penale dhe ka të bëjë në gjykim tim, për një masë dënimi mbi 5 vjet e sipër. Periudha e sigurisë do të thotë në vetvete, vendosjen e një afati minimal dhe një afati maksimal, që unë propozoj të jetë nga 2/3 e vendimit të dhënë nga gjykata deri në ekzekutimin e plotë të dënimit penal, brenda së cilës, gjykata me vendim gjyqësor nuk lejohet që të kryhet lirimi para kohe me kusht ose falja,- tha deputeti Gumi. Një tjetër propozim lidhet me heqjen e dënimit të shpifjes dhe fyerjes ndaj kreut të shtetit duke hequr dënimin me gjobë ose gjer në tre vjet burg. Vepra penale e shpifjes ndaj Presidentit të shfuqizohet. Presidenti të gëzojë të njëjtën mbrojtje që gëzojnë të gjithë funksionarët e tjerë shtetërorë,- tha deputetja Ermonela Felaj.
Pjesë e ndryshimeve që do ti paraqiten Komisionit të ligjeve do jenë dhe propozimet e Komisioneres për Mbrojtjen e të dhënave personale. Sipas këtij institucioni, përpunimi, publikimi, komunikimi apo mbledhja e të dhënave personale pa autorizim për një person nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik dhe kur cenon të drejtat apo interesat legjitime të personit të prekur, duhet të dënohet me burgim deri në tre vjet ose me heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike. Të njëjtat dënime kërkohen edhe për vepra penale kryhet nga çdo person, i cili shkel detyrimin për ruajtjen e konfidencialitetit për shkak të detyrës ose profesionit, nëse pa autorizim, publikon, komunikon ose përhap të dhënat personale të një personi te një i tretë duke cenuar të drejtat apo interesat legjitime të personit të prekur.
Dënime më të ashpra propozohen nga Institucioni për Mbrojtjen e të dhënave personale kur kryhen nga anëtarët e grupit të organizuar; kur kryhen nga shtypi, radio televizioni, rrjetet kompjuterike të hapura për publikun ose me mënyra të tjera po aq efektive; personit të prekur i është shkaktuar dëm i rëndë ose kur ka për qëllim pasurimin e tij në mënyrë të padrejtë. Dënimi për këto raste do të jetë një gjer në pesë vjet, me gjobë ose ndalimin e veprimtarisë. Nëse do të shkaktohen dëme shumë të rënda ose serioze ose me qëllim pasurimin e konsiderueshëm në mënyrë të padrejtë, shkaktari do dënohet me burgim nga tre gjer në tetë vjet.
