E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kodi i ri Penal, Zaçaj: Ligji, parzmore për qytetarin, jo shpata e shtetit. Sadushi: Të kontribuojmë për një Kod Penal të thjeshtë, të drejtë dhe funksional

Gjatë prezantimit të draftit të Kodit të ri Penal, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, theksoi se Kodi Penal nuk duhet të shihet thjesht si një listë ndalimesh, por si gramatika morale e shtetit dhe pasqyra e ndërgjegjes sonë kombëtare.

Ajo theksoi se Kushtetuta është kufiri dhe themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet çdo normë penale, ndërsa të drejtat, liritë dhe garancitë kushtetuese janë telajo ku shkruhen këto norma. Zaçaj nënvizoi rolin e Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se kjo Gjykatë nuk qeveris dhe as nuk harton ligje. “Ju siguroj se kjo Gjykatë nuk është tërhequr kurrë nga kjo përgjegjësi – dhe nuk do të tërhiqet as në të ardhmen”, përfundoi fjalën e saj Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, kërkoi një Kod Penal të thjeshtë dhe të kuptueshëm nga të gjithë.

“Gjykata e Lartë, në misionin e saj për të unifikuar praktikën gjyqësore, kërkon një kod që ndihmon, jo që vështirëson. Sa më i paqartë kodi, aq më të paqëndrueshme janë vendimet. Sa më i mbingarkuar të jetë, aq më shumë rrezik për konfuzion paraqet”, tha ai.

Ai dha edhe disa sugjerime, teksa tha se një Kod Penal duhet të priret nga humanizmi i së drejtës penale dhe të shërbejë për parandalim dhe jo vetëm ndëshkim.

 “Shmang inflacionin penal dhe ruan koherencën strukturore; përdor gjuhë të thjeshtë dhe qartësisht të kuptueshme; shmang kriminalizimin e panevojshëm të sjelljeve të dënueshme moralisht apo etikisht, të cilat mund të zgjidhen përmes të drejtës administrative, civile ose mjeteve alternative; respekton ndarjen midis të drejtës materiale dhe asaj procedurale; shërben për parandalim dhe jo vetëm për ndëshkim, duke respektuar proporcionalitetin mes veprës së kryer dhe masës ndëshkimore; priret nga humanizmi i së drejtës penale, duke garantuar respektimin e standardeve moderne të drejtësisë restauruese, alternativave të dënimit me burgim, mundësive për rehabilitim; dhe nuk është një mjet për të ndërtuar një drejtësi penale represive, por një drejtësi funksionale, humane dhe të drejtë”, deklaroi Sadushi.

Drefti i prezantuar sot, sipas Sadushit nuk duhet parë si një proejkt përfundimtar, por “si një thirrje për reflektim të përbashkët”.

Ai bëri thirrje për një konsultim të thelluar  instituciona, vendas e ndërkombëtar, duke ftuar  proesionistë të fushës që të japin secili kontributin e tyre për të patur një Kod Penal “të thjeshtë, të drejtë dhe funksional”.

“Vetëm një Kod Penal i ndërtuar mbi parime të shëndosha, mbi qartësi, humanizëm dhe funksionalitet, mund të sjellë një drejtësi penale që i shërben shtetit të së drejtës dhe qytetarit. Le të jetë ky Kod i ri Penal një instrument, që jo vetëm ndëshkon krimin, por ndërton një rend juridik më të drejtë për të gjithë”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›