E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kofsha dhe Carja, yjet e rinj të peshëngritjes

Dy yje po rilindin peshëngritjen shqiptare, ndërsa aksi Shtërmen – Elbasan vijon të prodhojë kampionë Europe e Bote në këtë sport. Ertian Kofsha Kampion Europe në moshën deri në 17 vjeç në Raszin të Polonisë, me tre medalje ari, dhe Enkileda Carja medaliste e bronztë në moshën deri në 15 vjeç janë ata që ringjallin shpresë dhe optimizëm së shtanga kuqezi ka jetë. E një meritë e padiskutueshme e trajnerëve Leonard Toska dhe Eglantina Kalemi. Kamera e Radio Televizionit Shqiptar ka qenë e pranishme në palestrat e peshëngritjes në Shtërmen dhe në Elbasan, teksa si për Kofshën, ashtu dhe për Carjen nuk ka pushim. Stërvitje e punë, ndërsa aktivitetet ndërkombëtare janë në prag.

“Direkt sa kam zbritur nga avioni pas garës menjëherë në punë e stërvitje. Nuk ka pushim. Objektivi im i afërt është medalja në Kampionatin Europian të tetorit në Tiranë”, thotë fillimisht Kofsha

Kofsha për RTSH tregon emocionet e tre medaljeve të arta, ndërsa së bashku me të bronztën në Kampionatin Botëror të të rinjve në Kretë shkon në katër numri i medaljeve të tij. 140 kilogram në shkëputje vendi i parë, 168 kilogram në shtytje vendi i parë dhe 308 kilogram në dygarësh e vendi i parë e Kofsha është “mbreti” i peshës 89 kilogram në Europianin e Peshëngritjes për moshën deri në 17 vjeç në Poloni.

“Ajo që duhet të them është fakti se më mungojnë medaljet e Meksikës në Botërorin e U-17. Megjithatë medaljet në Poloni ishin të pritshme, teksa shpresoj që ta përsëris këtë sukses në Europianin e U-20, pavarësisht se jam tre vjet më i vogë”, shpjegon Kofsha. “Dhe ma shumë mund të kishim arritur – thotë trajneri Toska – Megjithatë ne ndihemi mirë, sepse kisha deklaruar në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes që me Ertianin do të merrja dhjetë medalje. Dhe dhjetë medalje me një moshë kaq të vogël janë shumë”.

Për trajnerin e sprovuar të peshëngritjes në Shtërmen, Leonard Toska, gjithçka ishte e pritshme nga Ertiani. Madje duke luajtur edhe me strategji deri në ndryshimin e peshës në momentin e fundit

“Deri diku unë isha i bindur për medaljet. Unë tregova që jam trajner i sprovuar sepse në deklarimin mbyllës e kalova direkt në peshën 89 kilogram. Pra me një bidon uji e kalova në atë peshë, sepse isha i sigurtë qind për qind që do t’i merrja ato medalje. Nuk janë medaljet e para. Si ekip unë kam marrë shumë medalje dhe kjo është krenari për fshatin e për zonën ku jemi, sepse ishte një jehonë shumë e madhe”, shpjegon Leonard Toska.

Në Shtërmen e kanë patur festë mbrëmjen e së hënës, ndërsa të gjithë kanë parë garën e Ertian Kofshës, që rrëfen se si e kanë pritur kur është kthyer nga Polonia.

“Kryetari i Bashkisë së Cërrikut më uroi dhe më priti i pari. Por më kanë falënderuar të gjithë për atë që arrita në Poloni”. 

Një shembull për t’u ndjekur nga të rinjtë në Shtërmen, ndërsa Kofsha e ka modelin e tij, që është Kampioni i Botës, Briken Calja.

“Sigurisht që dua të ndjek rrugën e ish-sportistit të ekipit tonë Briken Calja.

Por si u zbulua Ertian Kofsha nga një sy i sprovuar si Leonard Toska?

“Ertiani ka ardhur me një grup prej 10-15 sportistësh. Dhe e dallova që në fillim që ishte i aftë për peshëngritje, ai së bashku me një sportist tjetër. Një djalë që asnjëherë nuk ka bërë fjalë. Vetëm punë dhe stërvitje, aq sa unë lodhesha dhe i thoja boll më. Pra vetëm me punë”.

E tanimë si sportisti, ashtu edhe trajneri i tij i kanë objektivat e qarta deri në kualifikimin me normë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

“Objektivat i kam të mëdha. Pavarësisht se janë tre vjet më të mëdhenj se unë, dua që në Europianin e U-20 të jem në treshen e parë. Sa i përket Olimpiadës, gara e parë do të jetë Botërori dhe më pas Europiani dhe dua të grumbulloj pikët për të shkuar në Paris”, shpjegon Kofsha

“Ju nuk keni parë asgjë akoma – thotë trajneri Toska – Medaljet e tij do të jenë të padiskutueshme”.

E vetëm 20 kilometra më tej nga Shtërmeni në Elbasan, Radio Televizionin Shqiptar e priste medalistja e bronztë Enkileda Carja, që në peshën deri në 55 kilogram ngriti në shkëputje 69 kilogram, kurse në shtytje 83 kilogram dhe në dygarësh 152 kilogram. 14-vjeçarja më lehtë e ka të flasë nëpërmjet shtangës se sa në mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar.

“Rezultatet e këtij Europiani janë të mira dhe jam shumë e kënaqur. Prisja më shumë, por emocionet bënë të veten. Megjithatë ndihem mirë me këto medalje”, deklaron Carja.

“Janë medaljet e para. Ndihemi të kënaqur. Mund të kishte bërë më shumë, por gjithsesi mirë”, thotë Kalemi.

Por sa e vështirë është të merresh me peshëngritje? Carja dhe trajnerja e saj Eglantina Kalemi e ka një përgjigje, aq më tepër që teknikja elbanase i ka medaljet e para ndërkombëtare

“Peshëngritja është sport i vështirë dhe jo çdokush mund ta bëjë. Por unë ia kam arritur dhe me pesë vite sport kam marrë këto rezultate”, rrëfen Carja.

“Sporti i Peshëngritjes është i vështirë, sidomos në Shqipëri. Aq më tepër kur bëhet fjalë për femra, megjithatë ne ia dolëm”.

E tanimë pas këtyre medaljeve si sportistja, ashtu dhe trajneria i kanë objektivat e qarta për të tjera rezultate pozitive ndërkombëtare.

“Vitin tjetër kemi Kampionatin Botëror U-17, i cili bëhet në Shqipëri, dhe Kampionatin Europian U-15. E shpresoj të jap rezultatet e pritshme”.

“Pritshmëritë tona – shpjegon Kalemi – janë të mëdha deri tek Lojërat Olimpike. Por unë do të ndalesha tek aktivitetet më të afërta, Botërori U-17 në Shqipëri dhe Kampionati Europian U-15. E shpresojmë të jemi ndër më të mirët”.

Në Elbasan i kanë mirëpritur medaljet e Carjes. Të paktën kështu pohon trajneria e pasionuar, Eglantina Kalemi, që është njëkohësisht mësuese e Edukimit Fizik në shkollën 9-vjeçare “Vasil Kamami”, atje ku ka dhe palestrën.

“Elbasani i priti shumë mirë medaljet tona. Patëm një jehonë mediatike, apo dhe urime nga pushteti vendor e Qeveria”.

Kështu Peshëngritja rikthehet edhe një herë në elitë në Shtërmen e Elbasan, ndërsa mungon të plotësojë trekëndëshin Peqini, atje ku prej vitesh shtanga hesht. Kofsha dhe Carja janë emra që nëse punohet mund të ndiqen nga të tjerë…

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›