Koha e humbur
Një miku im mjek, shqiptar, me banim dhe punë që nga vitet ’90 në Milano, më nisi një mesazh, ku më kërkonte me këmbëngulje, pavarësisht nga çmimi, t’i siguroja një vend pushimi në sezonin e ardhshëm turistik, pasi me çfarë kishte lexuar në gazeta dhe nga deklaratat e kryeministrit, kish hamendësuar se këtë vit do bëhej nami. Pavarësisht se deri më sot ai i bënte pushimet në Sardenja, nga ka gruan me origjinë, ose në Rivierën Ligure, këtë herë ishte gëzuar nga ç’kishte lexuar, dhe do t’i bënte në Shqipëri. Iu përgjigja se, për momentin ka vende të lira vetëm në shtëpi private në Rubik, Leskovik dhe Bilisht, por edhe për këto duhet të nxitonte, pasi agjentët turistikë të ardhur nga Franca, Anglia dhe Gjermania, mund t’i zinin nga çasti në çast.
Kemi kohë që nuk e ndjejmë veten pjesë të një vendi të klasifikuar si i pari, por më shumë kohë kishim pa e ndjerë veten banorë të një vendi, fanar ndriçues të asaj që përfaqëson. Dhe na ndodhi së fundmi, kur Manuel Barroso anuloi vizitën e tij në Shqipëri, për shkak të standardit të zgjedhjeve. Me siguri, nga mungesa e informacionit të shëndetshëm dhe të saktë, ka menduar se këto zgjedhje kanë qenë një farsë. Por ja që kultura e portugezit rezultoi e cekët, pasi avazi ende s’ka mbaruar, dhe ne kemi edhe një kolegj zgjedhor që do ta zgjidhë këtë punë, i cili është i pavarur në vendimet e tij. Kush nuk ka besim në drejtësinë shqiptare, gabohet, pasi ajo është funksionale dhe ka mbushur birucat me hajdutë celularësh dhe pasqyra makinash. Çka thoshte Mark Tueni, se “po vodhe një bukë, futesh në burg, por nëse vjedh një hekurudhë, bëhesh senator”, ka vlerë vetëm për Amerikën, pasi jo një hekurudhë, por as një tunel nuk mund të vjedhësh këtu. Ndaj Barroso, OSBE-ja, ambasadori amerikan dhe i BE-së, kanë rastin të mësojnë diçka mbi demokracinë.
Janë më se të drejta akuzat e kryeministrit, se shkaktare e vonesës për integrimin e vendit, është opozita dhe protesta e saj për puçin ligjor që po i bëhej. Opozita ende nuk e ka kuptuar se roli i saj në këtë vend është të qenit dekor i pushtetit. Dhe ky është hap i madh, pasi në Kushtetutën e vitit 1976 ishte neni që thoshte se vendi është diktaturë e proletariatit, ndërsa sot opozita mund të sokëllijë e kërcejë sa të dojë dhe të jetë e bindur se do ta gëzojë statusin e saj, pa u çuar në Spaç, me përjashtim të disa kruajtjeve me shkopinj gome, lënies pa punë, apo vrasjes tek-tuk të anëtarëve të saj. Në fabulën që të gjithë e njohim, ujku e akuzoi qengjin që pinte në të tatëpjetën e përroit, se ia kishte turbulluar ujin që po pinte në anën e sipërme. Dhe kishte të drejtë që e hëngri. Boll të futesh në lëkurën e ujkut, dhe e kupton se sa të drejtë ka.
Përveç një “Maço Man”-i, i cili ngacmon zëvendësen e tij, një grua, këto zgjedhje na dhanë mundësinë të njohim edhe një trim, i cili nuk pyet askënd, dhe veç kësaj ka intuitën të dallojë kur një kuti votimi ka probleme, megjithëse procesverbalet shoqëruese nuk e thonë këtë. Për ata që nuk besojnë në aftësitë telepatike dhe paranormale të kryetarit të KQZ-së, mjaft të shohin reality show-in që jep çdo ditë ky institucion.
E kush nga ne nuk mbeti pa u habitur për thellësinë e mendimit të Lulzim Bashës, dhe nuk mallkoi ato dhjetë vota që i shkuan më shumë rivalit? Janë penduar gjithë ata që e akuzonin për vjedhje të fondeve publike, shitje të interesave jetike dhe ujërave të vendit, e vrasjen e katër personave brenda vetëm pesë vjetëve në qeveri. Si mos pendoheshin, kur me erudicionin e tij i tregoi Ismail Kadaresë se çfarë është një sistem demokratik dhe sa i kotë do bëhej ai, nëse nuk i shkohet deri në fund procesit që do ta nxjerrë fitimtar. Kush mendon, se shkrimtari i madh i hodhi një litar për ta nxjerrë me faqe të bardhë nga një batak që po i nxin faqen atij dhe vendit mbarë, ndjehet i lehtësuar që gjeniu i radhës, i përzgjedhur nga fati ynë i ndritur për të na drejtuar, nuk e pranoi ofertën. Bertrand Russell, filozofi anglez që nga kjo botë diç dinte pasi jetoi plot 98 vite, thoshte se “Problemi i madh i shoqërisë njerëzore, është që budallenjtë janë tepër të sigurt, ndërsa inteligjentët, të mbushur me dyshime”. Dhe përgjigja që i shkoi Kadaresë, dukej tepër e sigurt në atë çfarë shkruante. Nga ky proces, të gjithë dalim të fituar. Komshiu im demokrat, nga data 18 maj duhet të mësohet me regjimin e ri të ardhjes së ujit, dhe për të dalë për vrap nga liqeni, do t’i duhet të kapërcejë gardhin e kompleksit ‘Dinamo’, pasi mbas kësaj dite, kalimi nëpërmjet tij iu ndalua me saldimin e portës hyrëse që lidhte rrugën ‘Komuna e Parisit’ me digën. Jetojmë në Njësinë 5, dhe ndëshkimi kolektiv është shenjë demokratizimi dhe e së resë që pritet të vijë në Tiranë.
Po ashtu, në zgjedhjet e ardhshme parashikohet një mbështetje me njëqind mijë vota të tjera shtesë për koalicionin qeveritar. Pse jo? Çfarë e pengon qeverinë ta arrijë këtë objektiv? Po e pa ngushtë se nuk ia del dot, dinamit, fishekë dhe pare publike ka sa të duash. Mjafton të parat t’i përdorë në kokën e miletit, ndërsa paret t’i fusë në xhepa, dhe ja ku u arrit ajo që ka nevojë votuesi. Dhe pastaj do ripërshtatim një këngë të viteve ’80, kur nuk të merrte malli të jetoje në Tiranë, lëre më në provincë, por populli bilbiloste i gëzuar vargjet e bejtexhiut popullor që mbylleshin me thënien “...lum si na që jetojm në Pukë”.
Pas njëzet vjetësh bjerrjeje besimi në sistemin që po përpiqemi të përvetësojmë, humbëm një mundësi tjetër, që do na afronte me ëndrrën tonë europiane dhe për një shtet normal, për të cilin zhgënjim shumica dërrmuese e jona nuk është fajtore. Por kur vitet të shkojnë, dhe shqiptarët e së ardhmes do lexojnë për këto mote, do iu jehojnë në veshë fjalët e helenëve të lashtë se “mund të nxjerrësh mësime nga e kaluara dhe të arrish suksesin, por kjo nuk të ndihmon të ringjallësh të vdekurit dhe fitosh kohën e humbur”.