Koha për një kulturë tjetër reagimi
Saimir Lamaj/student, Universiteti i Kretës
-Megjithëse qeveria trumbeton se jemi ndër të paktat vende që na «harroi» kriza botërore ekonomike, e vërteta është pak më e hidhur, sidomos kur dikush përmend gjithë ata emigrantë që janë kthyer në atdhe në këto vitet e fundit dhe përballohen si forca të tepërta pune. Kjo krizë, ashtu siç pritej pasqyrohet në procesin dhe fushën e politikës, atje ku sipas sondazheve të fundit përafërsisht 48% e shqiptarëve nuk e ndiejnë veten afër me asnjë parti. Ndërsa të rinjtë, ndonëse marrin pjesë rregullisht nëpër fushatat zgjedhore, vetëm 3 për qind prej tyre ndjehen të përfaqësuar në politikë.
Kjo krizë politike, e cila në thelbin e saj është një krizë përfaqësimi në shoqërinë tonë, ka një tendencë rritjeje. Edhe pse nuk do të ishte ekzagjerim kur bëjmë fjalë për Shqipërinë, të shënonim një karakter të përhershëm të këtij fenomeni, do të jemi të kujdesshëm që mos të biem në grackën e përgjithësimit. Është gjithsesi fakt, se përfaqësuesit tanë politikë, jo vetëm nuk mbajnë premtimet e tyre elektorale, por me rritjen e tyre në pushtet zbatojnë politika krejtësisht të kundërta nga ato që marrin urdhrin e popullit. Me pak fjalë, jo vetëm nuk përfaqësohet vullneti i shumicës, ashtu siç reflektohet në procesin zgjedhor, por luftohet ai dhe shkelet qysh që nga dita e parë. Sistemi partiak ka hyrë në një udhë delegjitimi meqenëse nuk mundë të shndërrojë kërkesat popullore në politika shtetërore. Kjo praktikë, ndonëse është e zakonshme gjatë gjithë kohës mbas-hoxhiste, mund të ndryshojë nëse partitë e sistemit politik shqiptar, marrin mësime fillestare për funksionet elementare të një mekanizmi partiak. Ato nuk duhet ta shohin pushtetin si qëllim, por si mjet. Jo si një mjet, i cili do i mbushi me para, por një mjet, i cili do të sigurojë interesin e përgjithshëm. Por pavarësisht nga teoritë e kontratës shoqërore dhe teorive politike, si mund të pretendojë dikush të drejtat themelore në Shqipërinë e sotme? Në ditët tona klasa politike shqiptare shtrëngon qytetarët duke mbjellë tek ta urrejtjen midis njëri-tjetrit. Ajo që ka rëndësi është kush do fitojë «nderin e shefit». Kjo strategji është e njohur. Përça dhe sundo. Ajo që nuk është e njohur, mesa duket për disa gjasme politikanë dhe biznesmenë, është se kush mbjell urrejtje do të korrë urrejtje. Pra shqiptari duhet më së fundi t'i japë fund periudhës së tranzicionit dhe të kalojë në një periudhë të re. Atje ku nëpër demonstrata nuk do të vriten qytetarë, ku nuk do të mbyllet çdo gojë gazetari, sepse shkrimet e tij janë kundër qeverisë, atje ku nuk do humbasësh punën, sepse partia që votove humbi. Kemi nevojë për ide të reja, për njerëz të paprekur nga korrupsioni, për politikanë, jo biznesmenë, kemi nevojë mbi të gjitha për sindikata të pavarura, të cilat do të organizojnë klasën punëtore. Kemi nevojë për një ndryshim kulture. Një kulturë e cila nuk do të përputhë lekun me edukimin, tradhtarët me atdhetarët, demokracinë me tatalitarizmin, qytetarët me bujkrobër.