E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushatat e Edi Ramës, një rilindje konfuzioni (tollovie)

31-03-2013 / Nga Eden Babani

Ndonëse moti i keq mbi Europë nuk ka kursyer as brigjet e Adriatikut, skena politike shqiptare sa vjen e nxehet, me afrimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Dy partitë e mëdha, PD dhe PS, duket se tashmë i kanë projektuar aleancat e mundshme dhe po punojnë për koordinimin e programeve dhe të strategjive me më të vegjlit, pa lënë mënjanë pretendimet për ndarjen e tortës së fitores. Megjithatë, duke qenë herët të shpallet zyrtarisht e përvijuar harta e aleancave, palët rreken të zgjerojnë koalicionet përkatëse me aleatë të rinj, ende jashtë orbitës së tyre, duke i joshur ata, ku mbuluar e ku zbuluar. Sinoptika parazgjedhore paralajmëron kapërcime të Ylberit politik nga parti të ndryshme, një tabu e thyer pas zgjedhjeve të kaluara. Majko, tashmë një politikan me pjekuri të mjaftë për t’u besuar, pohoi para do ditësh se PS-ja ka hequr dorë nga përpjekjet që ta joshë LSI-në në koalicionin që kryeson. “Do të kemi një raport si me një parti që qeveris vendin”, ka thënë ai dhe ka shtuar se “si rregull, nuk mund të imagjinohet që PS të bëjë fushatë elektorale me ministrat e LSI-së”. Qëndrimi i ish-kryeministrit socialist përkon pak a shumë me atë të Preç Zogajt, i cili i ka shprehur haptas mosmarrëveshjet me Ramën, duke ia zënë në fyt ngjalat e Gjiut të Lalëzit. Në këto kushte, meqë nuk ka edhe aq besim te “çanta me vota” që duhet të sjellin tridhjetë e ca partitë në koalicion, PS-ja e ka hedhur grepin që të peshkojë dy partitë e reja: FRD-në e Topit dhe AK-në e Spahiut.


Sipas Majkos, PS-ja mbetet e hapur për çdo parti me qëndrime opozitare, sepse, “sot fenomeni Berisha përbën thelbin e asaj që nuk funksionon më në politikën shqiptare”. Me një fjalë, Majko e ka shpërfaqur botërisht strategjinë e partisë së vet se cilido që është kundër Berishës, do të gjejë strehë në koalicionin e majtë, me synimin e vetëm që edicioni i ardhshëm i zgjedhjeve të largojë liderin demokrat nga politika. Bash në këtë pikë, te lufta kundër Berishës, vjen e puqet strategjia politike e Ramës me atë të Topit ose të Spahiut. Bash këtu janë fokusuar qëllimet dhe shpresat e opozitës për fitore, çka i zbeh, në mos i zhbën fare alternativat e saj programore përballë atyre të palës kundërshtare, sidomos përballë arritjeve të lavdërueshme gjatë mandatit qeverisës PD-LSI. Nisur nga ky këndvështrim, ndërsa Topi e Rama e kanë kapërcyer Ylberin de facto, pritet ta shpallin kapërcimin de jure. “Të gjithë duhet të ndëshkojnë me votë këtë qeveri të korruptuar”, tha Topi në Tepelenë, çka nuk ndryshon as me fjalë, as me pikë, as me presje me ato që hedh pa doganë Rama në takimet e tij për të paraqitur “programin” qeverisës të PS-së ose me ato që shkarravit orë e çast në Twitter.


Pohim i Majkos nuk përbën ndonjë sensacion, ngase Rama i ka zbuluar letrat me kohë, duke ftuar qoftë Topin, qoftë Spahiun për të larguar së bashku Berishën nga Kryeministria. Nga ana tjetër, të kujton Kastriot Islamin, i cili, në një analizë tepër të hollësishme për pamundësinë e fitores së PS-së në qershor, vëren se Rama nuk punon për të fituar, pasi është i bindur se do të humbasë. Sipas Islamit, Rama synon të largojë nga partia socialistët e vërtetë, duke mbushur strukturat dhe forumet e saj me prurje që s’kanë asnjë lidhje me politikën, në mënyrë që ta kontrollojë PS-në më lehtë deri më 1917, kur edhe Berisha të jetë më i konsumuar, edhe rotacionin i pushtetit nuk do të jetë aq i mundimshëm. E zorshme të mos besosh në saktësinë e analizave të Islamit, i cili i njeh labirintet e PS-së si askush tjetër.


Ndërkohë, është interesante të vëmë në dukje, se, si një ndër liderët me kontribute të padyshimta në PS, Majko nuk ndihet i qetë përballë intrigave të liderit socialist. Duke iu kundërvënë tezave të Ramës për kompozimin e qeverisë në rast të një fitoreje të mundshme më 23 qershor, ish-kryeministri socialist nuk do ta shkëmbente mandatin e deputetit për t’u bërë ministër. “Ia kam thënë Ramës që me këtë skemë duhet të kesh kujdes se do të duhet të menaxhosh dy qeveri, njëra qeveria hije që do të kesh në Parlament, dhe tjetra në Ekzekutiv. Nëse kjo do të vendoset me shumicë, do ta respektoj, por nuk do ta lë mandatin e deputetit që të bëhem ministër. Parlamenti është shtëpia ime, dhe ajo është marrëdhënia më e mirë imja me politikën. Unë me Gramozin, Namikun dhe Et’hemin jemi katër deputetët e PS që jemi që më 1992-shin”, ka thënë Majko në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.


Madje, jo pa qëllim ka përmendur emra deputetësh me kontribute të vërteta për PS-në, të cilët, gjithashtu, ndiejnë tu rrëshqasë toka nën këmbë. Mbetet të shohim nëse Majko rreket të marrë masa  vetëmbrojtëse, ngase i trembet rrjetës së merimangës që ka thurur dhe po thur dita-ditës Rama, apo beson vërtet se është ende i dobishëm për të kontribuar në radhët e socialistëve.

Në prag të shpalljes zyrtare të fushatës elektorale, konfuzioni që gjallon në PS, është treguesi më i mirë për t’i besuar sondazhit të kohëve të fundit, edhe se është realizuar nga struktura të Sorosit, të njohura për prirje të majta. Konfuzionin e shtojnë më shumë skandalet publike, shkaktuar nga individë me përkatësi socialiste, ndaj të cilave PS-ja s’ka mundur të mbajë qëndrime adekuate. Nëse janar-shkurtin e kaluar u distancua nga hajnia e familjes Bajraba, aktualisht ka marrë në mbrojtje familjen Tahiri, e dyshuar për trafikim medikamentesh.
Gjithsesi, sado të nxehet klima politike deri më 23 qershor, koha e mbetur është e mjaftueshme që socialistët të gjejnë forca ta nxjerrin partinë e tyre nga konfuzioni ku është kredhur, e ta shndërrojnë në një forcë të vërtetë politike në shërbim të vendit, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›